Shqipëria e futsallës mund Anglinë dhe kualifikohet në turin tjetër të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë e drejtuar nga Erind Resuli, pas leksionit që i dhanë Bullgarisë vendase një ditë më parë, duke e mundur 7-1, kanë regjistruar sot një tjetër fitore të thellë, duke mposhtur 5-1 Anglinë, për të prerë biletën për në fazën tjetër të turneut, falë edhe fitores së Bullgarisë ndaj Maltës.
Golat e Karajas dhe Selmanajt në pjesën e parë të ndeshjes bënë shumë të thjeshtë administrimin e situatës për përfaqësuesen shqiptare në fraksionin e dytë të lojës. Anglia, e detyruar të nxirrte në sulm edhe me portierin për të tentuar rikuperimin e rezultatit, la shumë hapësira në prapavijë. Ndaj Brahimi shënoi me lehtësi golin e tretë për Shqipërinë para se Ballinger të shkurtonte diferencën në 3-1. Por pasiguria zgjati vetëm pak minuta pasi fillimisht kapiteni Halimi e më pas përsëri Brahimi, realizuan dy gola në portën angleze për të vulosur rezultatin 5-1.
Mbetet për t’u luajtur edhe ndeshja me Maltën, por ajo është thjesht formalitet për kuqezinjtë, pasi sido që të shkojnë rezultatet në ndeshjet e fundit, kanë të sigurt vendin e parë meqë kanë mundur në ndeshjet direkte dy rivalët kryesorë.
Në fazën tjetër të turneut, që zhvillohet në datat 3-12 prill 2017, Shqipëria do të luajë në Grupin 2, përkrah Azerbajxhanit, Hungarisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ndeshjet do të luhen në Azerbajxhan.