Edi Rama është shfaqur në krah të Mogherinit, në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel. Shefi i ekzekutivit mori mbështetjen e Mogherinit, e cila deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha drejt integrimit, dhe vendimi pritet në fillim të vitit të ardhshëm.
Federica Mogherini:
“Është një kënaqësi për mua të mirëpres, përsëri, Kryeministrin Rama, në një moment veçanërisht të rëndësishëm për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Nën lidershipin e tij, Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht në Reformën e Drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit, një punë që ne e mbështesim e që duhet të vazhdojë përpara dhe kjo është një punë që mund të hapë rrugën drejt hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit në BE. Jam e lumtur që kam përsëri këtë mundësi për të diskutuar së bashku mënyrën se si këto hapa mund të shndërrohen në një opsion të vërtetë në fillim të vitit të ardhshëm”.
Edi Rama:
“Faleminderit dhe është një kënaqësi si gjithmonë që të vij t’iu takoj, veçanërisht në këtë moment kur ne shpresojmë në një rezultat pozitiv të të gjithë përpjekjeve të përbashkëta me fillimin e negociatave të anëtarësimit. Jam shumë krenar që kam ardhur këtu me më shumë rezultate të mira dhe jam i sigurt që do të kemi edhe më shumë në muajt e ardhshëm”.