INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëria nën kërcënimin e enëve të porcelanit

Shqipëria nën kërcënimin e enëve të porcelanit

Publikuar më: 12:33 06-10-2017

Plumbi dhe kadmiumi janë dy metale të rënda toksike, ndikimi i të cilave në organizmin e njeriut është i rrezikshëm për çdo moshë.

Këto dy substanca janë veçanërisht të dëmshme për fëmijët, femrat shtatzënë dhe bebet. Plumbi dhe kadmiumi kanë tendencën të akumulohen në organizëm, ndaj edhe sasi të vogla të tyre mund të përbëjnë një rrezik të mirëfilltë.

Në Korrikun e kaluar, autoritetet doganore dhe të kontrollit ushqimor në Italinë fqinje refuzuan hyrjen e disa ngarkesave kolosale me tasa porcelani për përdorim ushqimor me prejardhje nga Kina.

Rezultatet e analizave treguan nivele të larta e të rrezikshme të metaleve të rënda, plumb dhe kadmium.

Autoritetet italiane sekuestruan ngarkesën me tasave të porcelanit me origjinë nga Kina pasi analizat treguan se niveli i kadmiumit në këto artikuj arrinte deri në 1.83 mg për litër ndërsa ai i plumbit deri në 10.3 mg/l.

AgroWeb.org u interesua për këtë çështje dhe kontaktoi me zyrtarët doganorë në vendkalimet kufitare të mallrave në vend.

Burime të ndryshme konfirmuan në kushtet e anonimatit se mallra të tillë importohen në Shqipëri, por nuk janë subjekt kontrolli për prezencën e metaleve të rënda.

Kjo për shkak të procedurave të shtrenjta dhe të komplikuara për analizat e tyre.

Plumbi dhe kadmiumi përdoren në vazot dhe enët e porcelanit ose në dizenjo dekorative në sipërfaqe të këtyre enëve, duke u bërë kështu një kërcënim i hapur për njerëzit që përdorin këto artikuj.

Të dy këto metale të rënda arrijnë të prekin ushqimet dhe pijet e gatuara, paketuara ose mbështjella për përdorim të mëvonshëm.

Prej shumë kohësh, plumbi dhe kadmiumi kanë qenë pjesë e enëve të porcelanit dhe qeramikës të përdorura për zbukurim ose ushqim.

Plumbi arrin të japë llustrën përfundimtare të lëmuar dhe të qelqtë me ngjyra të ndezura dhe dizenjo interesante të produkteve të porcelanit.

Sa më të ndezura ngjyrat në shtresën e sipërfaqes së produktit aq më i lartë është niveli i plumbit.

Nëse pjatat ose enët që përdorni janë të zbukuruar me forma të ndryshme që ngrihen mbi sipërfaqe dhe janë lehtësisht të vijëzuara apo të prekshme me gisht, atëherë metali i rëndë është përdorur kryesisht në sipërfaqe.

Nëse pjesa zbukuruese e enës nis dhe shpërbëhet atëherë rreziku i ekspozimit ndaj plumbit është edhe më i lartë.

Plumbi dhe kadmiumi gjenden rrallë herë në pjatat ose tasat me ngjyrë të bardhë.

Shtresat prej plumbi që zbukurojnë pjesën e jashtme të enëve që përdorni për ushqim ose jo, janë përgjithësisht të sigurta për përdorim.

Si të pakësoni ekspozimin ndaj plumbit dhe kadmiumit tek porcelanet tuaja

Mënyra më e sigurt është që të përdorni enë në etiketën e të cilave përjashtohet prania e metaleve të rënda si plumbi apo kadmiumi.

Kjo këshillë është jetësore veçanërisht për enët e përdorura nga fëmijët, femrat shtatzënë dhe nënat që ushqejnë me gji

Masat e sigurisë personale

Mos ngrohni ushqimet ose pijet në enë që përmbajnë plumb ose kadmium. Gatimi në mikrovalë përshpejton proçesin e çlirimit të këtyre metaleve.

Mos ruani ushqimet në enë që përmbajnë plumb. Sa më gjatë pijet dhe ushqimi të rrinë në kontakt me një sipërfaqe prej plumbi, aq më shumë metale të rënda do të akumulohen në ushqimin tuaj.

Mos i ruani ushqimet me aciditet të lartë në enë që përmbajnë plumb. Këto ushqime dhe pije e përthithin më shpejt plumbin se ushqimet me aciditet të ulët.

Ushqimet me aciditet përfshijnë: agrumet, mollët, domatet, salcën e sojës dhe salcën e sallatës.

Pijet me aciditet të lartë janë lëngjet e frutave, lëngjet e gazuara, alkoli, kafeja dhe çaji.

Nëse një enë përmban plumb ose kadmium nuk duhet ta lani në makinën larëse të enëve pasi sipërfaqja e jashtme dëmtohet dhe përshpejton akumulimin e plumbit në ushqim.

Për më tepër, plumbi mund të ndotë edhe enë të tjera në lavastovilje./AgroWeb.org

Article Logic
Execution time: 0.0045740604400635