INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Shqipëria numri një në Europë për vrasjet ‘’Romeo dhe Zhuljeta’’[VIDEO]

Publikuar më: 09:37 03-12-2018

Dhuna makabre në familje në Shqipëri është në nivele tejet të larta, aq sa rezultojmë vendi me numrin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Europë. Kjo e dhënë ka dalë nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën në një raport të fundit të saj në studimin global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat.
Në vendin tonë numërohen me 1 vrasje për 100 mijë gra dhe dominojnë vrasjet nga bashkëshorët apo partnerët intimë.
Pas Shqipërisë, në vend të dytë është Islanda, me 0.6 vrasje për 100 mijë gra, e ndjekur nga Kroacia, Lituania, Finlanda dhe Zvicra.
Sipas raportit vrasja përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave. Vrasjet e lidhura me gjininë e grave dhe vajzave mbeten një problem serioz nëpër rajone, në vendet e pasura dhe të varfra. Ndërsa shumica dërrmuese e viktimave të vrasjeve janë burra, të vrarë nga të panjohur, gratë kanë më shumë gjasa të vdesin në duart e dikujt që e njohin.
Gratë e vrara nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes përbëjnë 58% të të gjitha vrasjeve femra nga viktimat e raportuara globalisht vitin e kaluar, dhe pak përparim është bërë në parandalimin e vrasjeve të tilla.
Edhe të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një rritje të numrit të raportimeve për dhunën në familje ndaj grave. Gjatë 2017-s, për çdo 10 mijë gra numëroheshin 22.7 të dhunuara.
Qarku i Durrësit ka normën më të lartë të grave të dhunuara, për çdo 10 mijë gra në ka 32 gra të dhunuara, apo rreth 11 gra më shumë se mesatarja kombëtare. Më pas vjen Qarku i Vlorës dhe i treti Tirana.
Dibra dhe Kukësi janë qarqet që kanë nivele të ulëta të dhunës ndaj grave.

Article Logic
Execution time: 0.0035269260406494