INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëria  “pushtohet” nga një fenomen i jashtëzakonshëm, shi yjesh në qiell

Shqipëria “pushtohet” nga një fenomen i jashtëzakonshëm, shi yjesh në qiell

Publikuar më: 13:26 11-08-2017

Shkëputja nga vetja për të kapur një yll që bie, për ta shndërruar atë në një dëshirë, është një nga momentet më të paqta që përfshin tërësinë tonë.

Çdo vit, miliona njerëz në botë, përfshirë edhe shumë shqiptarë presin netët magjike të Shën Lorencit apo të cilësuara ndryshe si “Lotët e Shën Lorencit”.

Janë netët e ëndërrimtarëve! Netët e shumëpritura të verës, ku njerëzit nisin bisedojnë me yjet për tu rrëfyer atyre dëshirat më të fshehta.

Duke nisur nga data 10 gusht e deri në 14 gusht, qielli do të ofrojë një spektakël të vërtetë, duke u përfshirë në një stuhi yjesh që bien e shuhen.

Ky fenomen ndodh në hemisferën veriore të Tokës dhe njihet si shiu meteorik i Perseideve. Ky fenomen është rruga që përshkojnë gurët hapësinorë, të cilët gjatë rënies drejtohen drejt Tokës duke u djegur. Gjatë rënies së tyre, këto gurë krijojnë vija të zjarrta në qiell, të cilat krijojnë përshtypjen e rënies së tyre nga yjësia e Perseut. Gjatë këtyre ditëve, kur dielli bie në perëndimin e tij, dhe vendin e zë nata, në qiell do të nisin të shfaqen yjet që bien, sipas agroweb. Pas mesnate, stuhia e yjeve nis të “vallëzojë”.

Edhe Shqipëria do të “pushtohet” nga ky fenomen i jashtëzakonshëm. Për të shijuar sa më të plotë magjinë e këtyre netëve, idealja do të ishte që zgjidhnit një vend në periferi apo në fshat, larg qytetit dhe dritave të tij dhe të keni përballë vetes sa më shumë qiell që të mundeni.

Sipas traditës së mbetur tashmë, teksa sheh një yll që bie e shuhet në qiell duhet të shprehësh edhe një dëshirë. Mjafton të përqëndroheni me shikim drejt qiellit dhe do përfshiheni tërësisht në magjinë e këtyre netëve të pagjumta. Perseidet mund të shihen në hemisferën veriore, në pjesën veri-lindore të qiellit dhe në zenit, pika në qiell direkt sipër jush.

Ekspertë të NASA-s kanë konfirmuar se intensiteti i shiut të meteorëve gjatë këtij viti do të jetë më i larti ndër vite, me 150-200 meteorë në orë kur normalja është 80. Ky është një rast i rrallë që nuk duhet humbur, pasi për të parë tjetrin do t’ju duhet të prisni vitin 2126! /agroweb/

Article Logic
Execution time: 0.0037310123443604