INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëria rifiton hapësirën që humbi në 2009? Zbulohet marrëveshja me Greqinë

Shqipëria rifiton hapësirën që humbi në 2009? Zbulohet marrëveshja me Greqinë

Publikuar më: 19:49 10-02-2018

Së fundmi, marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë një ndër temat më të diskutuara në politikën shqiptare. Një temë e cila u diskutua për dit të tëra mes polemikash dhe përplasjesh nga dy grupet politike me të mëdha ne vend PD-PS.

Top Channel mësoi prej burimeve diplomatike në Athinë, se marrëveshja e re e detit parashikon ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit.

Në ngushticën mes dy vendeve, që është 1.8 milje detare, 0.6 milje i takojnë Shqipërisë, 0.6 milje Greqisë dhe 0.6 milje janë ujëra ndërkombëtare. Në pjesët e tjera aplikohet vija e mesit, duke llogaritur edhe një hapësirë për lundrim ndërkombëtar, distanca këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare të Detit.

Përsa i përket zgjatimit të sovranitetit grek me 12 milje, sikundër tha edhe ministri i Jashtem grek, Nikos Kotzias, ajo do të bëhet nga të dy vendet njëkohësisht

Në marrëveshjen mes dy vendeve, të përfunduar në Kretë, por të detajuar përfundimisht në Korçë sqarohet se llogaritja e 12 miljeve do të bëhet nga ishulli i fundit i banuar në 1913, periudhë që mes dy vendeve është caktuar një vijë e përafërt kufitare.

12 miljet greke do të aplikohen nga ishulli i Otonos dhe Mandraqi dhe jo nga fari i fundit në Veri, si në marrëveshjen e 2009. Marrëveshja do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare të detit për përdorimin e fareve, sipas të cilës faret dhe shkëmbinjtë, ose ishujt ku ata janë ndërtuar, i jepen për administrim vendit që i ka ndërtuar.

Statusi territorial i këtyre fareve dhe i ujërave që i rrethojnë ata, nuk referon pikë nisjeje të 12 miljeve, ose vijës së mesit, siç ishte vendosur në marrëveshjen e 2009, me shkëmbin Bakreta në Ngushticën e Ksamilit, duke i dhënë Greqisë 3/4 e hapësirës detare. Pala greke thotë se me mënyrën e re të matjes dhe pikat referuese të vendosura nga Bushati dhe Kotzias në Kretë, Shqiperia rivendos sovranitetin në atë pjesë detare që humbi me marrëveshjen e 2009.

Mes dy vendeve do të ripërcaktohet zona ekskluzive ekonomike. Shqipëria do ta zgjerojë atë në drejtim të perëndimit drejt kuadrateve “Joni 1” dhe “Joni 2”, të cilat në bazë të marrëveshjes së 2009 i merrte Greqia.

Studimet gjeologjike të kryera që në vitet 1960 prej gjeologëve rusë dhe shqiptarë, por edhe kërkimet e kryera në vitet 2013- 2015 prej kompanive norvegjeze, konfirmojnë se atje gjendet naftë dhe gaz, si vazhdim i fushës naftëmbajtëse Patos-Marinëz-Vlore.

Burimet thanë se Greqia dëshiron një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes, pasi dëshiron aplikimin e precedentit të përcaktimit detar me Shqipërinë ta përdorë si bazë në fazën përfundimtare të negociatave për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Izraelin, Qipron, Libinë dhe Egjiptin.

Ky precedent mund të përdoret politikisht prej saj në një negociim të mundshëm për kufirin detar me Turqinë për vendosjen e sovranitetit grek në Egje.

Siç dihet, Greqia ka kontrollin e ishujve në pothuaj gjithë Egjeun të bazuar në Traktatin e Lozanës, çka kohët e fundit kontestohet prej Presidentit turk Erdogan.

Pikërisht “frika” që Athina ka prej influencës së Presidentit turk në politikën shqiptare, e bën këtë marrëveshje edhe më emergjente, theksojnë burimet e Top Channel në Athinë.

Kjo marrëveshje referon një koordinatë për nisjen e punës për kufirin tokësor. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë ende një vijë kufitare të përcaktuar vetë, që prej vitit 1914, kur vija ekzistuese u vendos nga fuqitë e mëdha./ TCh

Article Logic
Execution time: 0.0035550594329834