INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqiptarët, në fund të shekullit me 1.7 mln banorë, shumica pleq

Shqiptarët, në fund të shekullit me 1.7 mln banorë, shumica pleq

Publikuar më: 16:03 10-09-2017

Projeksionet globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100 tregojnë për një rënie drastike të popullsisë shqiptare, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB.

Përveç rrudhjes në numër, shihet një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të popullsisë. Piramida tregon se në këtë vit, rreth 546 mijë persona janë mbi 60 vjeç, teksa shihet se është ngushtuar dukshëm baza e piramidës, çka reflekton një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Në vitin 2100, numri i personave mbi 60 vjeç do të jetë më i madh se personat nën këtë moshë.
Një ndër shkaqet e përkeqësimit është emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 ka emigruar 20% e popullsisë së vendit, shumica në
Greqi dhe Itali.

Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur 29% deri në 2060-n. E krahasuar me shtetet e tjera në botë, vendi ynë nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj.

Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi – 65 vjeç e lart – në periudhën 1989 deri në 2011, është rritur nga 5 në 11%. Në vitin 2017, të moshuarit mbi 60 vjeç zënë 18.8% të totalit të popullsisë.

Të papërgatitur për të moshuarit

Mirë ose keq, Shqipëria ka një infrastrukturë të ngritur për moshat e reja. Investimet në rritje dhe numri i nxënësve në ulje do të rregullojë më tej kushtet për moshat e reja, por për moshat e treta që jo shumë larg do të jenë në mazhorancë nuk ka asnjë përgatitje në sfond. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europa që nuk ka një legjislacion të integruar për të moshuarit, madje është shumë pas në këtë drejtim.

Instituti i Shëndetit Publik, nisur nga disa studime në Tiranë dhe në rrethe, ka gjetur vitin e kaluar se më shumë se dy e treta e të moshuarve mbi 65 vjeç janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë që një e treta e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo probleme shëndetësore.

Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuajse gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuajse gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin, krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Sipas ISHP-së nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek mjeku i familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt të skemës, dhe mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj. Por jo gjithçka është në dorën e tyre. Studimi ka gjetur se të moshuarit hasen shpesh me barriera shoqërore që ndikojnë mjaft në jetën e tyre. Gjithmonë e më shumë të moshuar jetojnë të vetmuar, ndërkohë që gjendja ekonomike e tyre është më e rëndë se pjesa tjetër e shoqërisë.

Në një situatë globale të një popullsie drejt plakjes, të moshuarit do të luajnë rol të rëndësishëm nëpërmjet punës vullnetare, transmetimit të njohurive dhe përvojës, duke ndihmuar familjet në mbajtjen e përgjegjësive, si dhe duke shtuar pjesëmarrjen e tyre si fuqi punëtore e paguar. Sot të moshuarit luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në Afrikë, apo edhe kudo tjetër, miliona pacientë të rritur që janë të sëmurë me AIDS, ndihmohen në shtëpitë e tyre nga prindërit. Pas vdekjes së tyre, fëmijët e mbetur jetim (së fundmi 14 milionë nën moshën 15 vjeç vetëm në vendet afrikane) në më të shumtën e rasteve janë në përkujdesjen e gjyshërve të tyre.
Të tilla kontribute drejt zhvillimit mundet të sigurohen vetëm nëse të moshuarit gëzojnë nivele standardesh shëndetësore, për të cilat duhet të hartohen strategji të veçanta./monitor/

Article Logic
Execution time: 0.0022938251495361