INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqiptarët punëtorë apo pëlqejnë pushimet?! Zbuloni raportin

Shqiptarët punëtorë apo pëlqejnë pushimet?! Zbuloni raportin

Publikuar më: 08:14 01-05-2018

Në ditën e punëtorëve, e gjithë administrata publike është pushim. Në fakt kjo ditë konsiderohet si ditë proteste, ku të punësuarit protestojnë dhe kërkojnë më shumë të drejta në punë.
Ndërsa në mbarë botën 1 Maji është një ditë simbolike për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, në vendin tonë prej vitesh e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi.
Jo më kot vendi ynë rezulton që ka orë shumë më të gjata pune sesa mesatarja e vendeve të zhvilluara. Sipas INSTAT, që i referohet vitit 2017, në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë. Ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD është 1764 orë. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 409 orë më shumë.
Edhe në krahasim me rajonin, ne punojmë më gjatë. Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, orët e punës vjetore janë më pak se 1900.
Por, pavarësisht se punojmë me orë të zgjatura, ditët zyrtare të pushimit nuk i kemi të pakta, madje kryesojmë në rajon. Nga festat e Vitit të Ri deri tek Dita e Flamurit dhe lejet vjetore shqiptarët kanë 34 ditë pushimi të paguara. Sipas Kodit të Punës, në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore, apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 14. Ditët kur festat zyrtare përkojnë të dielën, merret e hëna ditë pushimi (kur në fakt kjo është llogaritur vetëm si një ditë pushimi). Me 34 ditë pushimi në vit, shqiptarët renditen në mesataren e vendeve të Europës.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka numrin më të lartë të ditëve zyrtare të pushimit. Në Malin e Zi, sipas të dhënave janë 8 ditë pushimi zyrtar. Në shtetin më të ri të Europës, Kosovë, duke iu referuar të dhënave zyrtare ka rreth 9 ditë pushimi, përveç të shtunave dhe të dielave, dhe ditëve kur pushimet i bien gjatë fundjavës. Në Serbi, Maqedoni dhe Bosnje, janë rreth 11 ditë zyrtare pushimi.

Article Logic
Execution time: 0.0047450065612793