INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqiptarët shumë punë, pak rezultate dhe para [FOTO]

Shqiptarët shumë punë, pak rezultate dhe para [FOTO]

Publikuar më: 09:44 12-09-2016

Shqipëria renditet ndër vendet me më shumë orë pune në botë dhe Europë, me rreth 44 orë pune në javë. Sipas një raporti të Institutit të Statistikavee kundërta ndodh në lidhje me pagesat dhe cilësinë e punës, pra paguhen më pak dhe japin më pak rezultate.
Monitor shkruan se Turqia, Kosta Rika dhe Meksika janë vendet ku punohet më shumë orë në javë, sipas të dhënave të reja të OECD-së (Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim), mesatarisht mbi 44 orë.
Në vendet e Bashkimit Europian, shteti me më shumë orë pune në javë është Greqia, me 42 orë.
Shqipëria, edhe pse nuk është pjesë e këtyre statistikave, renditet ndër vendet me më shumë orë pune në botë dhe e para në Europë. Zyrtarisht, bazuar në Kodin e Punës, në vendin tonë punohet rreth 40 orë në javë. Ndërsa sipas një vrojtimi të publikuar nga INSTAT në vitin 2015 (, numri mesatar vjetor i orëve reale të punës në vit është 2,102 ose mesatarisht rreth 44 orë pune në javë.
Kjo është më e lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së prej 36.8 orë në javë.
Bie në sy fakti se Gjermania është një nga vendet ku punohet më pak në javë, me një mesatare prej 26.37 orësh.
Fqinji ynë, Italia, renditet ndër vendet ku punohet rreth 33.7 orë në javë.
Australia gjithashtu është një parajsë për punëtorët, pasi aty punohet mesatarisht 31.5 orë në javë. Holanda dhe Norvegjia llogarisin mesatarisht 27 orë në javë, ndërsa Danimarka dhe Franca, rreth 28 orë.

Shqipëria, aty ku shitësit rrinë më shumë në punë.
Sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë llogarit kohën reale më të lartë të punës me 2,171 e ndjekur nga aktiviteti i menaxhimit të mbeturinave me 2,153, për të vazhduar me informacionin dhe komunikacionin me 2,132, akomodimin dhe ushqimin me 2,128, me industrinë përpunuese 2,126 etj.
Më pak orë pune (por jo nën 2,000 orë) llogarit sektori i furnizimit me gaz dhe energji me 2,059 orë pune në vit.
Në Shqipëri, dita standarde e punës llogaritet në 8 orë, koha minimale mes ditëve të punës është 11 orë, ndërsa pushimet javore janë 36 orë.
Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, për vitin 2015, cënimi i marrëdhënies së punës (ku përfshihet mosrespektimi i dispozitave ligjore në lidhje me orët shtesë të kryera dhe të papaguara, punës së papaguar në turnin e dytë e të tretë, në ditët e pushimit javor dhe të festave zyrtare etj.) llogariti numrin më të lartë të ankesave, rreth 36%. Kjo tregon për një nivel të lartë të cënimit të kësaj marrëdhënieje.
Por, edhe pse punojnë më shumë, shqiptarët paguhen më pak.
Sipas anketës së INSTAT, kostoja orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë në vendin tonë është 2,2 euro. Më pas renditen shtete si Bullgaria dhe Maqedonia, me kosto orare mesatare për njësi pune me kohë të plotë, përkatësisht 3.4 dhe 3.5 euro.
Shqiptarët më pak produktivë, s’ka teknologji dhe forcë pune të kualifikuar
Raporti i Konkurrueshmërisë 2015-2016 i realizuar nga Forumi Botëror Ekonomik e rendit Shqipërinë në vendin e 97 (3.97 pikë) nga 120 në total për sa i përket eficiencës së tregut të punës. Hong Kongu, Kanadaja, Danimarka janë vendet që renditen në krye të këtij klasifikimi.
 “Vërtet një grek apo shqiptar punon më shumë se një gjerman, por rezultati në punë nuk është i njëjtë dhe kjo matet me produktin. Teknologjia nuk është e njëjtë e po kështu aq forca e punës”, thonë ekspertët shqiptarë.
Nga ana tjetër, studimet tregojnë se është e nevojshme që qeveritë të adresojnë çështje që mbështesin punën me orare fleksibël. Sa më shumë njerëzit të punojnë, aq më pak kohë u dedikojnë ata aktiviteteve të tjera dhe kjo cënon raportin mes punës dhe cilësisë së jetës, që vlerësohet si faktor që ndikon në produktivitet.

Article Logic
Execution time: 0.0038590431213379