Ëndrra amerikane është ëndrra e shumë shqiptarëve këtë e tregojnë edhe shifrat pasi shqiptarët nuk heqin dorë nga aplikimet për lotarinë.
Monitor shkruan se shifrat tregojnë se shqiptarët shënojnë rekord në Europë për marrjen e lejeve të përhershme të banimit (green card) në dekadën e fundit, në raport me popullsinë.
Instituti i Politikave të Migrimit në SHBA ka përditësuar të dhënat për fluksin e lejeve të reja të përhershme të banimit (green card) për të gjithë vendet e botës, nga periudha 1999-2015. Për Shqipërinë, që nga viti 1999 kanë marrë gjithsej leje të përhershme të banimit 77,618 persona, ku numri më i lartë është shënuar në vitin 2006, me 7,916 persona dhe më i ulëti në 2003-n, me 3,362. Pas vitit 2013 shihet se ka sërish një rritje të numrit të shqiptarëve që kanë marrë ‘green card’, për të arritur në 4,653 në 2015-n.
Monitor ka përpunuar të dhënat e Institutit të Politikave të Migrimit për dekadën e fundit (2005-2015) për të gjitha shtetet e Europës. Nga të dhënat e përpunuara rezulton se në një dekadë, kanë marrë Green Card në SHBA rreth 54 mijë shqiptarë, duke u renditur në vlerë absolute në vend të gjashtë, pas Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, Federatës Ruse, Polonisë dhe Gjermanisë.
Por, duke pasur parasysh që shtetet e sipërpërmendura kanë një popullsi shumë herë më të lartë sesa të Shqipërisë, vendi ynë mban rekord në numrin e Green Card të përfituara në dekadën e fundit, në raport me madhësinë relative. Përfituesit shqiptarë të lejeve të përhershme të qëndrimit në shtetin e ëndrrave në gjithë dekadën e fundit përbënin 1.85% të totalit të popullsisë, që kishte Shqipëria në 2015-n