INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqiptarja.com/ Vendimi fshehtë i AKEP, favorizon kompaninë turke për miliona euro [FOTO / VIDEO]

Shqiptarja.com/ Vendimi fshehtë i AKEP, favorizon kompaninë turke për miliona euro [FOTO / VIDEO]

Publikuar më: 19:42 12-02-2018

Një tërmet i ri paralajmërohet në tregun e telefonisë celulare , shoqëruar këtë herë me dyshime për korrupsion. Pas mbylljes së papritur të operatorit Plus (i cili shkoi drejt falimentimit për shkak të pamundësisë që të konkurronte me operatorët e tjerë kryesorë të tregut, si Vodafone dhe Telekom, të cilët në fakt më pas blenë frekuencat e tij), tani AKEP-i, enti rregullator i tregut, vendos të ndërhyjë me një vendim të fshehtë, që synon të privilegjojë operatorin e tretë, më të vogël, me pronësi turke. Pa u konsultuar me palët dhe në një mungesë totale të transparencës, kryetari i ri i AKEP-it, Ilir Zela, ka përgatitur një projekt-vendim që do ta çojë pas pak ditësh për votim në Këshill, i cili në fakt ndërhyn për të rritur tarifat e interkonjeksionit që Vodafone dhe Telekom duhet t’i paguajnë operatorit të tretë Albtelecom, duke i njohur këtij të fundit të drejtën të aplikojë tarifa diskriminuese, ndërkohë që Vodafone dhe Telekom duhet të vijojnë të aplikojnë tarifa “jodiskriminuese ndaj njeri-tjetrit”.
Për ta thënë me fjalë më të thjeshta: të gjitha thirrjet telefonike që klientët e Vodafonit dhe Telekomit, duke nisur nga 1 marsi, bëjnë drejt numrave të Albtelecomit, duhet të paguhen më shtrenjtë nga ana e dy operatorëve, ndaj atyre që klientët e Albtelecomit do të bëjnë drejt numrave të dy operatorëve konkurrentë. Kjo do t’i japë mundësinë Albtelekomit të ulë tarifat e veta, por do t’ua ndalojë një gjë të tillë Vodafonit dhe Telekomit.

Një diskriminim i hapur dhe një shkelje e rregullave të konkurrencës, që mund të gjenerojë një fitim për kompaninë turke prej gati 8 milionë eurosh në vit. Një shifër jashtëzakonisht e madhe, që ngre shumë dyshime mbi origjinën e këtij vendimi dhe mbi interesat që fshihen pas tij.

Report TV kërkoi një prononcim nga AKEP për këtë cështje dhe përgjigja që morëm ishte kjo.

Përfaqësuesja e Akep: Nuk je i pari, kanë ardhur dhe të tjerë dhe kreytari më thotë që kjo nuk është në interes të publikut, por është në interes të operatorëve. Nqs ne kemi dicka për të thënë, mbas të enjtes.

Gazetari: Mbas të enjtes?

Përfaqësuesja e Akep: Ska lidhje fare kjo me AKEP-in, Akep është shumë në rregull me çdo gjë

Gazetari: Kaq sa më thatë, mund të ma thoni me intervistë.

Përfaqësuesja e Akep: Jo skam çfarë them, për mediat deklarata e vetme është që kjo ska lidhje me AKEP-in, nuk është çështje publike.

Deri tani, AKEP-i ka qenë shumë i vendosur për të penguar operacione të këtij lloji. Edhe vetë kompania Plus, e cila, për sa kohë ekzistoi, mbulonte vetëm 5.23 për qind të tregut shqiptar të telefonisë dhe ishte më e vogla në vend, kishte kërkuar ta fitonte këtë privilegj, por refuzimi nga ana e AKEP-it e çoi në faliment.

Tani që shef i AKEP-it u bë Ilir Zela, politika e entit rregullator duket se ka ndryshuar dhe drejtuesi i ri ka mbajtur qendrim në favor të kompanisë turke, e cila, me 12.6 për qind të tregut që ze, është ajo tani kompania më e vogël.

“Problemi që mund të shkaktojë në treg heqja e këtij detyrimi për Albtelecom (pra aplikimi i tarifës jodiskriminuese) është shumë i vogël në raport me heqjen e këtij detyrimi dy operatorëve më të mëdhenj”, shkruhet në projekt-vendimin e AKEP-it, që orjentohet haptazi drejt favorizimit të një operatori ndaj dy konkurrentëve të tij.

Por çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje?

Përse projekt-vendimi, një kopje të të cilit e ka siguruar Report TV, ka mbetur sekret deri më sot?

Çfarë e shtyn Ilir Zelën të favorizojë në mënyrë kaq të hapur kompaninë turke, duke dëmtuar operatorët e tjerë të tregut dhe duke shkelur rregullat e konkurrencës normale? Të ndihmosh një operator të fitojë miliona e miliona euro në dëm të konkurrentëve të tij është një operacion që ngjall dyshime të rënda ndaj AKEP-it dhe Ilir Zelës dhe që kërkon sa më shpejt shpjegime zyrtare dhe ndërhyrje nga ana e qeverisë.

Ajo çka ngjall më shumë dyshime është se pikërisht Ilir Zela, para se të emërohej drejtues i AKEP-it, punonte si drejtor juridik i Albtelecomit, pra i kompanisë që po favorizon tani me vendimin e tij, duke zbuluar kështu një konflikt të rëndë interesi.

 

fotoaz.jpg

fotoaz.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.0028421878814697