INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Shtegu i Gjelbër”, Veliaj: 2018-a, viti kur Tirana do i rikthehet biçikletave

“Shtegu i Gjelbër”, Veliaj: 2018-a, viti kur Tirana do i rikthehet biçikletave

Publikuar më: 10:57 07-01-2018

Kjo e dielë shënoi të tretin vit radhazi, që në kryeqytet zhvillohet gara e “Shtegut të Gjelbër”.

Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, mbi 100 çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë e itinerarit çiklistik.

Kësaj gare iu bashkua edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ai në nisje të garës tha se ky aktivitet sportiv synon ndërgjegjësimin e qytetarëve se biçikleta është një zgjidhje e shëndetshme në një qytet si Tirana.

Veliaj theksoi se tashmë kjo garë është kthyer në një traditë të bukur për kryeqytetin, duke e përfshirë Tiranën në kalendarin e të apasionuarve pas këtij sporti.

“Më vjen mirë që jeni regjistruar rreth 100 profesionistë. Ajo që më pëlqen shumë është e kemi futur Tiranën në një kalendar. Kur një gjë ndodh njëherë, është një organizim i bukur, po kur një gjë ndodh 2 herë, 3 herë, 4 herë, do të thotë që po stabilizohet një traditë dhe besoj që ajo që është më e rëndësishme për qytetin tonë është të stabilizojmë një traditë. Shtegu i Gjelbër është një traditë. Maratona tani do të ketë vitin e tretë në Tetor dhe është gjithashtu një traditë. Besoj është mënyra fantastike për të inkurajuar, jo vetëm ata që janë profesionistë, por edhe ata si puna ime që janë amatorë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se prioritet i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë ndërtimi i 10 km korsi për biçikleta, që jo vetëm do të garantojë sigurinë e çiklistëve, por në të njëjtën kohë do të lehtësojë edhe qarkullimin në kryeqytet.

Ai siguroi se ky vit do të jetë fantastik për të gjithë ata që do të përdorin biçikletën dhe për të inkurajuar të rinjtë të merren me sport.

Article Logic
Execution time: 0.0036280155181885