Një banesë është shkrumbuar nga flakët në orët e vona të së mërkurës në Shkodër. Sipas të dhënave të para të policisë, shkak i zjarrit dyshohet një rrjedhje e bombulës së gazit. Banesa është përfshirë menjëherë në flakë, dhe për pasojë është plagosur rëndë nga flakët e zjarrit dhe kryefamiljari, shtetasi me inicialet I.N, 64 vjeç, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. Gjithashtu, plagë të lehta kanë marrë dhe dy pjesëtarë të familjes, gruaja, shtetasja me iniciale E.N, 55 vjeçe dhe djali E.N, 25 vjeç.
Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi në banesë në kohën gjithë familjarët ndodheshin brenda. Në përpjekje për të shuar flakët, i zoti i shtëpisë ka marrë plagë serioze dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës. Në pamundësi për të izoluar zjarrin, familjarët që banonin me qira në këtë shtëpi kanë dalë jashtë duke kërkuar ndihmë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikëset dhe shërbimet e policisë që kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit që rrezikonte dhe banesa të tjera aty pranë.