INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shtetësia shqiptare për kosovarët. Meta:

Shtetësia shqiptare për kosovarët. Meta: "Rrezikojmë lëvizjen e lirë"

Publikuar më: 16:31 13-10-2017

Presidenti Ilir Meta, shprehet se marrja e shtetësisë shqiptare jo vetëm që nuk zgjidh problemin e qytetarëve të Kosovës por mund të sillte edhe pezullimin e vizave për shqiptarët. Gjatë vizitës së bërë në Kosovë, Meta ka dhënë një intervistë për RTK në Prishtinë ku ka ngritur këtë shqetësim. “Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë. Një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë”,- është shprehur Meta. Kreu i shtetit shqiptar e konsideron kushtëzimin e liberalizimit të vizave të Kosovës me demarkacionin si të padrejtë, pasi Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi.
“S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot. Kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës”,- ishte qëndrimi i Metës, për lëvizjen e lirë të banorëve të Kosovës. Presidenti Meta tha më tej se duhen shtuar përpjekjet për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave, si dhe duhet punuar me mirëkuptim dhe mirëbesim me Malin e Zi, por dhe me BE për çështjen e demarkacionit.

Article Logic
Execution time: 0.0028848648071289