INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shtohen hallet, rriten taksat. Ja sa do të paguani tani e tutje për shtëpitë, makinat, cigaret...

Shtohen hallet, rriten taksat. Ja sa do të paguani tani e tutje për shtëpitë, makinat, cigaret...

Publikuar më: 17:08 26-10-2017

Qeveria ka gati paketën fiskale për vitin e ardhshëm dhe na vjen keq t’ju themi që do paguani pak më tepër. Ndryshime e taksave do të zbatohen pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, duke nisur nga taksa e pronës, paketa favorizuese për turizmin, rritja e akcizës së cigareve dhe rritja e pragut për makinat që paguajnë taksën e luksit. “Panorama” ka botuar paketën e re, sipas së cilës, qeveria zeron tarifat doganore për mallrat e importit që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë.

TAKSA E PRONËS
Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, taksa e shtëpive do të llogaritet në përqindje mbi vlerën e tregut të shtëpisë. Projektligji për taksat vendore përcakton se për shtëpitë taksa do të jetë 0,05 për qind, ndërsa për biznesin 0,15 për qind. Në relacionin e projektligjit shpjegohet se për shtëpitë taksa e re do të llogaritet mbi çmimet referencë fiskale që përdorin hipotekat.
“Këshilli i Ministrave miraton çdo vit kostot mesatare të ndërtimit të ndërtesave të aplikuara nga Enti Kombëtar i Banesave. Kjo bazë e mirë të dhënash është aktualisht në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe e përdorshme për përcaktimin e vlerës së tregut të ndërtesave.
Pas miratimit dhe zbatimit të ligjit ‘Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, ndërtesat në Republikën e Shqipërisë janë të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me vlerën e tregut. Miratimi i këtij ligji ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm për taksimin mbi vlerën e tregut”, thuhet në relacion.

TURIZMI
Me paketën e re fiskale, TVSh-ja e turizmit 6 për qind do të shtrihet në të gjitha shërbimet që ofrojnë hotelet me 4 dhe 5 yje, të cilat do të fitojnë status special, sipas kritereve të organizatës botërore të turizmit. Po ashtu, hotelet me 4 dhe 5 yje do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe 10 vjet nga tatim mbi fitim.
“Përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje, me ‘status special’, sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
Strukturat akomoduese ‘Hotelet me 4 dhe 5 yje, status special’, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”, thuhet në relacionin e projektligjit për tatimin mbi të ardhurat.

MAKINAT
Qeveria ndryshon taksën për makinat e luksit. Me paketën e re fiskale, taksa e makinave të luksit do të paguhet deri te makinat me kapacitet vendesh 6+1. Aktualisht, kjo taksë paguhet për makinat me kapacitet vendesh deri në 4+1, të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret, cilindratë të barabartë ose më të madhe se 3000 cm³, ose vlerë çmimi të barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë.
Në relacionin e projektligjit shpjegohet se ndryshimet vijnë për shkak të modifikimit të makinave që bëjnë shoferët për të shmangur taksën. “Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, janë rreth 909 autovetura të regjistruara aktualisht, me kapacitet 6+1, të cilat u janë nënshtruar modifikimeve për arsye të evitimit të kësaj takse. Efekti negativ në buxhetin e shtetit është 19.000.000 lekë nga mostaksimi i këtyre automjeteve, të cilat duhet të konsiderohen makina luksi. Për këtë qëllim, propozohet me anë të këtij ligji rritja e kapacitetit të vendeve, nga 4+1 në 6+1”, thuhet në relacion.

CIGARET
Akciza për cigaret vitin e ardhshëm do të rritet 100 lekë për 1000 copë. Aktualisht, akciza e cigareve për 1000 copë është 5,750 lekë. Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, akciza për cigaret do të jetë 5,850 lekë për 1000 copë. Ndryshimet janë sipas ligjit të akcizave, ku parashikohet rritje 100 lekë çdo vit deri në 2021. Në relacionin e projektligjit shpjegohen arsyet e rritjes. “Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, si produkt me efekte negative në shëndet, duke rritur çmimin e shitjes së tyre”, thuhet në relacion.

TAKSA E PRONËS
Për apartamentet, taksa e re do të jetë 0,05 për qind e vlerës së shtëpisë, llogaritur sipas çmimeve fiskale që janë në fuqi. Formula e re e llogaritjes së taksës së pronës hyn në fuqi nga 1 janari 2018. Për ndërtesat e biznesit, taksa do të jetë 0,15 për qind e vlerës së ndërtesës, nga 400 lekë për metër katror që është aktualisht

TURIZMI
Ulja e TVSH-së së turizmit 6 për qind do të aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të certifikuara “Hotel me pesë yje, status special”, sipas kritereve të Organizatës Botërore të Turizmit. Do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje me “status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit. Do të përjashtohen nga tatimfitimi për 10 vjet “Hotelet me 4 dhe 5 yje, status special”, në rast se e përfitojnë këtë status deri në dhjetor të 2024-s. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

MAKINAT
Taksa e makinave të luksit do të paguhet edhe nga ato mjete me kapacitet 6+1, me çmim deri në 5 milionë lekë dhe cilindrat 3 mijë cm³. Aktualisht, kjo taksë paguhej për mjetet me kapacitet deri në 4+1.

AKCIZA E CIGAREVE
Akciza për cigaret vitin e ardhshëm do të rritet 100 lekë për 1000 copë. Aktualisht, akciza e cigareve për 1000 copë është 5,750 lekë. Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, akciza për cigaret do të jetë 5,850 lekë për 1000 copë.

TARIFAT DOGANORE DHE TATIM FITIMI
Zerohen tarifat doganore për kutitë, kasat apo dhe produkte të tjera për teknologjinë e informacionit. Për kompanitë në fushën e prodhimit të softwareve ulet tatimfitimi, nga 15% në 5%.

Article Logic
Execution time: 0.0034959316253662