Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 21 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.
“Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit.
Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv.
Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend.
Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.
Ne 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë”, tha ajo.