Pas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend, është vendosur të shtyhet hapja e transportit publik që ishte parashikuar për në datë 15 qershor.
Sot zëvendësministrja e Shëndetësisë, tha në një njoftim për shtypin se është vendosur shtyrja me një javë e transportit publik, i cili shihet si një shërbim me risk të lartë në një kohë që rastet me COVID-19 në vend janë rritur.
Mira Rakacolli bëri thirrje për respektimin e rregullave të distancimit fizik dhe të higjienës personale.
Më herët, edhe Unioni i Shoqatave të Transportit Publik deklaroi se nuk i kanë kapacitetet e duhura për të rifilluar transportin në linjat kombëtare. Gjithashtu, përmendet fakti se është e pamundur të operohet me fatorinot.
Për më tepër, ata kërkojnë heqjen e akcizës dhe taksave për karburantin, heqjen e TVSH-së së transportit gjatë vitit 2020, si dhe TVSH-ja për transportin të shkojë 6% në vitin 2021.
Deklarata e Plotë:
Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
Gjithsësi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.
Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike.
Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.
Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intesivisht nëpërmjët inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi sin ë fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses.