Përurimi i urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë i parashikuar për sot është shtyrë. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja për politikë të jashtme e BE-së, Maja Kocijançiç gjatë një prononcimi për KosovaPress. Shkak për shtyrjen e përurimit është fakti se punimet për rikonstruksionin e urës dhe rrugës “Mbreti Petër” në veri nuk kanë përfunduar akoma. Por Kocijançiç ka bërë gjithashtu të ditur se pritet të arrihet një marrëveshje e përbashkët rreth kësaj çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, e se pas kësaj do të vendoset data e përurimit. Sipas zëdhënses së BE-së, diskutimet me të dyja palët për të gjetur zgjidhje të pranueshme për këtë çështje po vazhdojnë. Punimet për urën e Ibrit që kapin vlerën e 1.2 milion eurove janë financuar nga Unioni Evropian.