INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shtypi gjerman: Prokurori shqiptar rrezikon jetën

Shtypi gjerman: Prokurori shqiptar rrezikon jetën

Publikuar më: 10:48 29-08-2017

Nën titullin “Viktimë e korrupsionit” gazeta gjermane “tageszeitung” i kushton vëmendje të martën (29.08) problemeve me të cilat përballen prokurorët shqiptarë, kur hetojnë rrjetet e rrezikshme. Arben Jorgaqi është një prokuror nga Vlora, i cili ka hetuar në rrjetet e mafias së ndërtimit. Ai humbi edhe vendin e punës dhe tani ka frikë për jetën.

“taz” e përshkruan prokurorin nga fundi i të 30-ve si një tip modern, i interesuar për artin, që në vështrim të parë nuk duket sikur përshtatet me profesionin e tij. “Por ai është prokuror që e merr seriozisht profesionin dhe luftën e propaganduar nga qeveria kundër korrupsionit….Arben Jorgaqi ka imazhin e një prokurori të pakorruptuar…por në majin e këtij viti erdhi kthesa. Jorgaqi u pushua nga puna. Me sa duket ai i ishte afruar shumë disa njerëzve të fuqishëm.”

Në vazhdim “tageszeitung” nënvizon, se prokurori shqiptar ia doli, madje edhe si hetues në fshehtësi të zbulojë, se kriminelët e veshur me petkun honorifik të biznesmenit kishin manipuluar dosje dhe përkatësinë e truallit, në luftën për të siguruar copat më të majme të bregdetit shqiptar.

“Prokuroria megjithatë mblodhi prova dhe bëri goditjen e parë. Në maj të këtij viti ai kërkoi arrestimin e disa personave të rrjetit në fjalë. Por për habinë e tij policia nuk reagoi. Në vend të kësaj ajo mori një qortim. Më vonë ai u zhvendos në Përmet.”

Gazeta gjermane raporton mbi përplasjen e prokurorit shqiptar, Arben Jorgaqi me prokurorinë e Vlorës. Lufta me autoritetet përfundoi me “lirimin” e tij nga detyra dhe më vonë me heqjen e mandatit. “As protestat në Tiranë nuk sollën gjë…. prokurori i padëshiruar u largua para reformës në drejtësi nga detyra.”

300.000 euro kompensim

Por historia e Arben Jorgaqit nuk përfundon me kaq. Ai ka marrë kërcënime pas refuzimit të 300.000 eurove si “kompensim”. “Arbeni u fsheh në Tiranë dhe ndërron rregullisht vendbanimin. Ai ka frikë për jetën…shpresa e vetme është që Gjykata e Apelit në Tiranë të vendosë në favor të tij. Por për shkak të lidhjeve të politikanëve të nivelit të lartë me rrjetin e mafias së ndërtimit, ai është skeptik.” / Deutsche Welle/

Article Logic
Execution time: 0.0038199424743652