Realiteti është i hidhur...
Në fund të një jave pune prej 40 orësh e gjejmë veten të lodhur dhe të konsumuar. Shpesh është e vështirë të gjejmë kohë për veten, përveç disa orëve në mbrëmje. Disa prej nesh humbin veteveten në këtë proçes, harrojmë interesat tona dhe kënaqësitë e vogla të jetës. Bëjmë çdo gjë me shpejtësi për t’u përshtatur me oraret tona sa harrojmë të shijojmë jetën. Megjithatë duket se nuk ndalojmë kurrë dhe as pyesim për këtë, ndërkohë që korporatat bëhën më të pasura dita ditës nga puna jonë e palodhshme. Përse e lejojmë këtë gjë të ndodhë?
Inflacioni
Nuk është nevoja të jesh një studiues i teorisë ekonomike për të kuptuar se çfarë është inflacioni dhe për më tepër se çfarë është i aftë të shkaktojë ai. Ajo çka kuptohet rëndom ka të bëjë me faktin se atje ku ka shumë para ka rritje çmimesh; se atje ku të mirat materiale dhe shërbimet e ofruara janë të pakta, përsëri do të ballafaqohemi me rritje çmimesh, rritje, e cila në fund të fundit, për të dyja rastet e cituara do të thotë që ka inflacion dhe e çon vendin në borxhe.
Borxhi
Borxhi publik është si dhembja e dhëmballës. Mirë është të mos e kesh, por kur e ke, zgjidhja është ta heqësh sa më shpejt e të shpëtosh. Shqipëria aktualisht po vuan nga një dhembje nga ato me heqje nervi, duke qenë se borxhi publik ka arritur deri në kockë, me një rekord prej 72.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Çka do të thotë se pesha e borxhit në supet e çdo shqiptari është rritur me 4.4% në krahasim me një vit më parë, duke shkuar nga 358.860 Lekë (2,566.57 Euro) në 374.800 lekë (2.679.46 Euro) për frymë, ose 52.8% më shumë se në vitin 2010. Rritja i atribuohet arkëtimit të ulët të të ardhurave në vitin 2015, ku të ardhurat nga taksat dhe doganat morën të tatëpjetën. Në fund të pjesës së parë të vitit, administrata fiskale kishte 13.4 bilionë lekë më pak të ardhura nga çfarë pritej. E gjithë kjo na bën të pranojmë 40 orë në javë punë pa e menduar dy herë.
Konsumerizmi
Konsumerizmi është ai lloj rendi social dhe ekonomik që nxit blerjen e të mirave materiale dhe shërbimeve të ndryshme në sasi të mëdha. Ky lloj rendi u pa të ngrihej pas mesit të shek. XX nëpërmjet procesit të globalizimit dhe të zhdukjes së kufijve kombëtarë. Shpesh ky lloj termi i referohet edhe lëvizjes për mbrojtjen e konsumatorit dhe presupozon pesha të sakta, sasitë e përzierjeve, datat e kadencës, cilësi e lartë e produkteve etj.
Duke qënë se ne jemi në punë pjesën më të madhe të ditës, i kalojmë mbrëmjet e limituara para televizorit dhe formave të tjera të medias, pasi nuk kemi mjaftueshëm kohë. Ne blejmë gjëra pa ndonjë vlerë të madhe të cilat na duken sikur na plotësojnë nevojat ose na bëjnë të ndihemi më mirë, duke fshehur kështu pasiguritë, nevojat psikologjike dhe probleme të tjera. Paguajmë për të qënë brenda kornizave pasi nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Megjithatë, në fund të fundit, shpëtimtarët e vetes jemi vetëm ne.