Reagimi në kohë i efektivëve të Policisë së Dibrës ka bërë të mundur parandalimin e një grabitje dhe shmangien e një tragjedie pasi “maskat” në tentativë për të vjedhur kanë plagosur të zotin e banesës.
Blutë e Dibrës kanë arrestuar në flagrancë grabitësit dhe kanë sekuestruar armën e krimit, municione luftarake dhe veshjet e përdorura nga autorët.
“U bë e mundur zbardhja e vjedhjes së banesës ndodhur me datë 15.07.2018, në fshatin Brezhdan, ku mbeti i plagosur me armë i zoti i banesës. Janë arrestuar në flagrancë dy autorët e dyshuar të kësaj ngjarje: Gaetano Hasi, 35 vjeç, banues në fshatin Brest i Poshtëm/Kastriot, Dibër ( veprat penale “Vjedhje me armë” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”); Ilir Shini, 31 vjeç, banues në fshatin Brest i Epërm/Kastriot, Dibër (Vepra penale “Vjedhje me armë” , kryer në bashkëpunim”)”, njofton policia.
Sipas uniformave blu, “këta shtetas të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur banesën e shtetasit A.S, 53 vjeç, banues në fshatin Brezhdan, ku gjatë grabitjes ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi E.S, 35 vjeç”.
“Në vijim të veprimeve të kryera për dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes, shërbimet e policisë gjatë kontrollit të kryer në banesën e shtetasit Gaetano Hasi kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një armë zjarri automatik model 56, 506 copë fishek, 1 krëhër, 1 jelek antiplumb, si dhe disa veshje që dyshohen se janë përdorur nga autorët gjatë grabitjes”, sqaron policia.