NASA ka hedhur një hap për ta bërë të mundur jetesën në planetin Mars. Agjencia amerikane e Hapësirës caktoi 3 finalistët kryesorë për sfidën e banesave të printuara në 3D.
Sfida e cila ka filluar që në vitin 2015, ka bërë që shumë skuadra të dizajnit të aplikojnë me projektet e tyre, për shtëpitë e përshtatshme për të jetuar në Hënë, Mars dhe ndoshta edhe në planetët tjerë.
Në nivelin e katërt të fazës së tretë të konkurrimit, 11 ekipeve iu kërkua t’i realizonin krijimet e tyre në grafikë kompjuterikë 3D.
Projektet u vlerësuan në aspektin arkitekturor, estetik, për qëndrueshmërinë e strukturës, por edhe tipare të tjera.
Ekipi që fitoi vendin e parë ishte nga New York. Ekipi “SEArch+/Apis Cor” ndërtuan një strukturë unike të spërdredhur, e cila vjen me disa vrima të vogla që lejojnë hyrjen e dritës natyrale.
Vendin e dytë e ka marrë skuadra ''Zoperhous''. Ata paraqitën shtëpi të ngjashme nga forma me stacionin hapësinor.
Ndërsa vendin e tretë e ka fituar skuadra Mars Incubator, e cila ka paraqitur një dizajn me katër pjesë të rrumbullakëta, ku në njërën madje mund të mbjellësh bimë.
Tre ekipet ndanë mes tyre një çmim prej 100 mijë dollarësh. Në raundin e ardhshëm, të caktuar në muajin maj, finalistët do të konkurrojnë për çmimin e madh prej 800 mijë dollarësh.