Pas 12 ditë hetimesh, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zbuluar servisin ku është modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u përdor për grabitjen në Rinas dhe bëhet fjalë për një pikë servisi në Elbasan.
Duke qenë kështu grupi i hetimit ka marrë në pyetje pronarin e servisit që ndodhet në një lagje shumë të njohur të Elbasanit për të bërë të mundur identifikimin e personave që kanë dërguar furgonin. Ende nuk bëhet e ditur dëshmia e pronarit të servisit, por më parë policia ka deklaruar se autorët kanë lënë prova të shumta në furgon, sipas tvklan.
Ndërsa mësohet janë shoqëruar në polici që prej mbrëmjes së djeshme, dy persona nga Elbasani, të cilët janë punonjës të këtij servisi në qytetin e Elbasanit, i cili ndodhet në afërsi të rrugë së vjetër të Metalurgjikut.
Po ashtu dyshohet një femër ka ndihmuar grupin e grabitësve të kryejnë supervjedhjen, ndërsa pjesë e hetimit është edhe kushëriri i një personi të shumëkërkuar për krime brenda dhe jashtë vendit. Policia ka rënë edhe në gjurmët e personit që dogji një furgon në afërsi të Bathores, për të shpërqënruar autoritetet.
Oficerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë sekuestruar në zyrat e Aviacionit Civil të gjitha kontratat që shtetit shqiptar ka me koncesionarin e aeroportit.