INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Si e shkatërron dalja nga BE kampionatin anglez të futbollit

Si e shkatërron dalja nga BE kampionatin anglez të futbollit

Publikuar më: 14:06 24-06-2016

Brexit ia doli dhe me shumë mundësi, me një lëvizje të vetme ia doli të shkatërrojë një nga kampionatet më të bukura (në mos më i bukuri) të futbollit.

Edhe pse aktualisht nuk ka ekipe të nivelit të Barcelonës, Real Madrid apo Bayern Muchen, kampionati anglez gjithmonë është cilësuar spektakolar për llojin e futbollit që nuk ndal kurrë vrapin, numrin më të madh të ekipeve që rivalizojnë për majat e klasifikimit (si Leicester dhe Tottenham këtë vit që nuk e kanë njohur aromën e titullit prej dekadash) dhe forcën e pandalshme ekonomike. Pavarësisht një viti realtivisht të dobët ne kupat europiane, klubet angleze kanë gjithmonë mundësinë të forcohen brenda vitit për shkak të disponueshmërisë gjigandetske financiare që klubet e saj më të pasura kanë. Ekipe si Chelsea, Manchester City, Manchester United apo Arsenal nuk e kanë njohur kurrë fjalën “krizë” dhe në pjesën më të madhe të rasteve kanë prezantuar çeqe të bardhë (të palimituar) kur kanë dashur të blejnë një lojtar. Ja pra që diçka e tillë nuk do të jetë më e mundur. Kjo pasi largimi nga BE e revolucionarizon edhe Premier League-n duke i hequr kështu, me shumë mundësi, shkëlqimin një herë e mirë. Ndryshimi vjen në 3 linja kryesore.

1. Zhvlerësimi i sterlinës

Në rast se deri dje sterlina britanike ishte monedha më e fuqishme në treg, tashmë ajo ka kapur vlerën e saj më të ulët të 30 viteve të fundit, duke rënë brenda natës. Në më pak se 24 orë ekipet britanike janë varfëruar me 10%, dhe kjo situatë pritet të degradojë. Sot 1 paund vlen 1.25 euro, pra në rast se ekipet angleze duan të blejnë një lojtar në Europë (aty ku të gjithë lojtarët më të mirë luajnë) duhet të paguajnë më shumë sterlina se dje që të blejnë një lojtar për të njëjtën shifër në euro. Shembulli më konkret është rasti i Paul Pogba, në rast se deri dje ylli francez vlente 120 milionë euro, shuma që do duhet të paguajnë në sterlina për të kapur këtë shifër, do ishte njësoj me ato që dje do të vlenin për 160 milionë. Pra, brenda një ditë-nate duhet të paguajnë 40 milionë euro më shumë për të blerë të njëjtin lojtar, me të njëjtën vlerë. Kjo gjë ndodh edhe për një tjetër lojtar klasi si Zlatan Ibrahimovic. Në rast se dje Manchester United do t’i jepte 15 milionë euro në vit, sot do të duhet të paguajë aq sterlina që dje do të vlenin 17-18 milionë euro. Para të hedhura në rrugë me pak fjalë

Por e keqja e zhvlerësimit të sterlines nuk qëndron vetëm këtu. Lojtarët që do vijnë nga jashtë Britanisë së Madhe do të kërkojnë të paguhen në euro apo dollarë, duke qenë se monedha britanike është në rënie të vazhdueshme. Kështu automatikisht do të paguhen shumë më shumë duke qenë se sterlina vlen më pak euro se dje, dhe me siguri do të vlejë më pak nesër se sot e kështu me radhë.

Kështu, në të njëjtën formë por anasjelltas, për një klub europian që faturon në euro, si Barcelona, Real Madrid, PSG apo Bayern Munchen do të jetë shumë më e lirë që të blejnë një lojtar nga Britania e Madhe.

2. Lojtarët ekstrakomunitarë

Britania e Madhe është njohur për problemet e mëdha me dhënien e vizave për lojtarët ekstrakomunitarë. Po çfarë është një i tillë? Një lojtar ekstrakomunitar është ai që nuk ka nënshtetësi nga vendet brenda Bashkimit Europian. Për ata është shumë e vështirë që të marrin vizë punë në Britaninë e Madhe, vizën që deri dje e ka marrë nga ligjet e BE për qarkullimin e lirë të punëtorëve brenda territorit të saj. Sot, për të luajtur në Britaninë e Madhe dhe kryesisht Angli, që është edhe vendi me futbollin më kompetitiv, një lojtar duhet të sigurojë vizë për të punuar. Dhe vizat për futbollistët jepen vetëm për lojtarët që kanë luajtur një numër të caktuar ndeshjesh për kombëtaren e tyre në 2 vitet e fundit. Përqindja varet nga vendi që kombëtarja zë në renditjen e FIFA. Lojtari duhet të ketë zhvilluar:

- 30% të ndeshjeve që ka luajtur kombëtarja e tij kur ajo renditet në vendet 1-10 të renditjes FIFA
- 45% të ndeshjeve që ka luajtur kombëtarja e tij kur ajo renditet në vendet 11-20 të renditjes FIFA
- 50% të ndeshjeve që ka luajtur kombëtarja e tij kur ajo renditet në vendet 21-30 të renditjes FIFA
- 75% të ndeshjeve që ka luajtur kombëtarja e tij kur ajo renditet në vendet 31-50 të renditjes FIFA

Me këto rregulla në 161 lojtarë të huaj që luajnë aktualisht në Premier League vetëm 50 do të mund të kishin vizë për të punuar në këtë vend, pra për të luajtur futboll. Dhe në 111 lojtarët që mbeten figurojnë emra të mëdhenj si De Gea, Mata, Scheiderlin, Martial, Mangala, Navas, Nasri, Kanté, Payet dhe Azpilicueta.

Megjithatë, në rast se Britania e Madhe rinovon lejen që punëtorët të qarkullojnë të lirë në Bashkimin Europian, nuk do ndryshonte asgjë nga çfarë ka ndodhur deri dje dhe rregullat e mësipërme s’do vlenin.

3. Blerja e lojtarëve nën 18 vjeç

Sipas rregullave të FIFA transferimet ndërkombëtare të lojtarëve nën 18 vjeç nuk lejohen. Megjithatë këto rregulla nuk aplikohen për lojtarët 16-18 vjeç që transferohen brenda për brenda vendeve të BE, në të cilën Britania e Madhe nuk bën më pjesë. Me rregullat aktuale, lojtarë si Cesc Fabregas apo Paul Pogba nuk do mund të ishin blerë dot nga Arsenal dhe Manchester United për shkak se do të ishin nën moshë.

Kuptohet që asgjë nga këto nuk vlen për blerjet brenda Britanisë së Madhe, por lojtarët më të mëdhenj të futbollit sot nuk janë anglezë, uellsianë, skocezë apo irlandezë. Me pak përjashtime.

Article Logic
Execution time: 0.0037810802459717