Një 32-vjeçar nga Elbasani është arrestuar pasi akuzohet se u grabiste me dhunë nga qafa varëset e floririt personave të ndryshëm kryesisht të seksit femër.
Policia bën me dije se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e vjedhjes me dhunë nga qafa të varëseve të floririt, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, është marrë informacion se një person në kohë dhe vende të ndryshme realizonte vjedhje te varëseve te floririt nga qafa të shtetaseve në qytetin e Elbasanit.
Në kuadër të operacionit “Floriri”, blutë kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit G.V., 32 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen “5 Maji” Elbasan, dyshohet se ka vjedhur me dhunë varësen nga qafa të një shtetaseje që po kalonte në rrugë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 32-vjeçari është autor edhe i 2 vjedhjeve të tjera me dhunë.