INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Si mendojnë të forcojnë ekonominë partitë politike

Si mendojnë të forcojnë ekonominë partitë politike

Publikuar më: 08:07 31-05-2017

Fushata elektorale ka nisur dhe një pikë e fortë e të gjitha partive kur bëjnë programe është dhe ekonomia. Po cilat janë alternativat që paraqesin sot tri partitë kryesore në vend sa i përket taksave dhe ekonomisë në përgjithësi?


PS
Në programin e saj në themel qëndron sërish taksa progresive, veçse këtë herë për pagat e larta që janë ato mbi kufirin 130 mijë lekë taksimi do të jetë 18 për qind dhe jo 23 për qind siç është aktualisht. Tatimfitimi për kompanitë e softëare do të jetë 5 për qind, ndërkohë që dividenti do të taksohet në nivelin 6 për qind, nga 15 për qind që është aktualisht.
Pagat e administratës do të rriten me 40 për qind, kurse për pensionistët do të parashikohet shpërblim 7-10 mijë lekë çdo vit. Vendet e reja të punës që synohen të hapen në 4 vitet e ardhshme janë 220 mijë. Projekti 1 miliard dollarë për investime të rëndësishme parashikohet të realizohet përmes partneriteteve publike-private. Kjo mbetet një tjetër pikë e rëndësishme e programit rozë.

PD
Programin e saj kjo parti e publikoi qysh në vitin 2016. Lidhur me taksat, PDngul këmbë gjithnjë në taksimin e sheshtë dhe propozohet nivel 9% për taksën mbi të ardhurat personale; 9% për taksën korporative; 9% kontribute shoqërore nga punëmarrësi, 9% nga punëdhënësi; 15% Tatim mbi Vlerën e Shtuar, që aktualisht është 20% me përjashtim të nivelit 6 për qind në turizëm për strukturat akomoduese.
Lidhur me reformën në financat publike, Partia Demokratike ka premtuar rikthimin e rregullit të borxhit publik të mos kalojë 60% të PBB; niveli i defiçitit buxhetor nën 3.5%; tavani i shpenzimeve buxhetore 31% e PBB. PD është angazhuar edhe për subvencionim të plotë të faturës së energjisë deri në masën 200 kilovatorë për të gjitha familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.
 
LSI
LSI prezanton një tjetër alternativë. Së pari 170 mijë vende të reja pune. Lidhur me taksat propozohet që bizneset me xhiro vjetore deri në 20 milionë lekë të kenë tatimfitim 5 për qind. Ato me xhiro nga 20 milionë lekë në 100 milionë lekë 8 për qind. Bizneset me xhiro mbi 100 milionë lekë, tatimfitim 10%. Taksimi aktual është 15 %. Për tatimin mbi të ardhurat personale parashikohet që pagat deri në 35 mijë lekë tatimi të jetë zero. Për të ardhurat nga 35 mijë deri në 200 mijë lekë tatimi 8% për diferencën mes 35 mijë dhe 200 mijë. Për pagat mbi 200 mijë lekë do të aplikohet tatimi mbi 10 për qind

Article Logic
Execution time: 0.0036168098449707