INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Si ndihesh kur je nëna e një homoseksuali?

Si ndihesh kur je nëna e një homoseksuali?

Publikuar më: 10:12 07-11-2017

Nga Irena Shabani

Para disa ditësh një miku im më dërgoi një letër, ishte fjalimi i nënës së tij mbajtur në konferencën e parë ndër-rajonale për problemet e komunitetit LGBT, organizuara nga Ambasada Amerikane rreth dy vjet më parë këtu në Tiranë. Mendova që do lexoja një letër të zakonshme, por më la shumë më tepër mbresa. Mendova që do merrja prej saj vetëm esencën, por po ta bëja këtë do ti humbisja shumë nga ajo që mami i Arbrit përcjell për këdo. Gjatë këtyre viteve kam njohur shumë homoseksual, tipa të sinqertë e që nuk kanë frikë të tregojnë çfarë duan dhe çfarë ndjejnë, kam njohur edhe shumë prindër në udhëkryq, që të pafuqishëm për të kuptuar çfarë po ndodh me djalin apo vajzën e tyre më kanë treguar se shpesh kanë menduar ti japin fund jetës e duke mbyllur sytë të harrojnë atë që shohin, por nuk duan të jetë e vërtetë. Sigurisht kam një keqardhje të madhe për prindërit, cilëtdo qofshin ata, por më shumë keqardhje kam për atë që ndodh tek fëmijët e tyre. Shumicën e rasteve të rinj të tillë, bëhen “xhongler” të jetës së tyre duke u shfaqur para familjarëve ata që nuk janë. Kështu për tu bërë qejfin prindërve, ata deformohen pak nga pak e në jo pak raste rrezikojnë që kjo mënyrë jetese tu bëhet realitet i përditshëm.

Ja cfarë shkruan zonja X (emrin nuk po e bej publik, me qëllim që ky informacion të mos shërbej për thashetheme gojësh të liga, por për të kuptuar diçka më shumë nga bota që nuk njohim mirë). “Shpesh e kam pyetur veten se kur e kam kuptuar realisht që im bir ishte “ndryshe” nga të tjerët. Shumë herë jam përpjekur t’i jap përgjigjen e duhur, deri sa kuptova se unë gjithnjë e kisha ditur, e kisha ndjerë që Arbri ishte i veçantë. Unë nuk jam profesioniste e as ndonjë oratore e spikatur, nuk kam mbajtur ndonjë herë fjalime dhe për më tepër nuk kam folur me njeri mbi prirjet e tim biri. Edhe pse emocioni më ka vënë poshtë në këtë moment, forca për të mbështetur tim bir më mban këtu përpara jush. Nuk është e thjeshët të bindësh veten me realitetin, nuk është e thjeshtë ti thuash vetes që po: ti ke nje djalë gej. Është e vështirë, madje edhe sot shpesh e kam kaq të vështirë t’ja them vetes.Kur ishte i vogël, Arbri ishte një fëmijë kaq i dashur dhe i ëmbël. Gjithnjë i lidhur me mua dhe tepër delikat. Sot them me vete se po të kisha këtë informacion që kam tani, atëherë do të kisha kuptuar tim bir që të vogël sepse ishte kaq e dukshme qënia e tij delikate dhe pothuajse perfekte në çdo gjë, ndoshta do i kisha kursyer vetes dhe sidomos Arbrit, vuajtje të forta në adoleshencë”.

Më poshtë ajo shpjegon sesa e papregatitur ka qënë për atë që po i ndodhte të birit. I cili nga ana e tij filloi të tërhiqej brënda guackës së tij e të mos komunikonte fare për atë që po përjetonte. I biri diku i lidhur aq fortë pas saj, dalngadalë po i bëhej i huaj dhe i largët. Filluan netët e gjata ku Arbri ishte jashtë shtëpisë, kërkesa e llogarisë prej të shoqit dhe shenja të forta nervozizmi nga ana e të birit. Nëna shprehet se për çfardo që po i ndodhte të birit ajo i’a hidhte fajin shoqërisë, që e kishtë futur në rrugë të keqe, duke e mësuar me alkoolin. Në atë kohë Arbri kamuflohej edhe duke sjellë në shtëpi ndonjë shoqe. Në një gjendje të tillë kaotike ajo vendos të kapërcej çdo kod etike dhe të gërmoj nëpër sendet e arbrit, derisa një ditë e gjetit përgjigjen në xhepin e pantallonave të tij. Ishte droga.

Po pse një djalë i tillë kishte nevojë të drogohej? Ajo shprehet se kështu filloi një nga periudhat më të errëta e më të dhimbshme të familjes së saj. Filluan kështu shërbimet e natës, ruajtja e të birit, ndjekja nga pas kudo ku ai shkonte, çdo detaj që do ti ndihmonte të kuptonin sesi ta menaxhonin atë situatë. Në fjalimin e saj ajo e vazhdon kështu rrëfimin; “Fillova pak nga pak të kuptoja se çfarë po ndodhte, fillova të kuptoj që droga ishte vetëm një shkak dhe jo faktori kryesor i vuajtjes së tim biri. Atëherë fillova të menjanoj tim shoq nga frika se mos merrte vesh se çka po ndodhte dhe e ndiqja vetë në rrugët e Tiranës. Nuk mund të imagjinoni vuajtjen dhe poshtërimin që ndieja kur ecja krejt e vetme në rrugët e errëta të Tiranës pa ndriçim, mes batutave të taksixhinjve. Më e dhimbshme ishte kur nuk arrija t’a gjeja, kur nuk kisha arritur ta ndiqja në kohë dhe më kishte humbur, atëherë kthehesha në shtëpi më lotët që më rridhnin, më zemrën që mund të më shpërthente nga marazi në çdo moment. E prisja deri në mëngjes në dhomën e tij të mbushur plot me postera të mëdhenj femrash gjysmë lakuriqe, dhe me arusha. Më dukej sikur hyja në dhomën e dikujt që jetonte në mes të dy botëve. Shpesh mëngjesi na gjente në sherr pse kisha hyrë në dhomën e tij, pastaj më dëbonte. ishte e kot që ulesha pranë derës dhe prisja që të më fliste. Kur donte të dilte dhe përpiqesha të tregohesha autoritare duke kërkuar llogari se ku do shkonte, gjithnjë dilja e humbur dhe me ndonjë orendi të thyer. Në një nga netët e arratisjes së tij, kur u ndeshëm diku pranë lagjes dhe hipa në makinë fillova ta pyes, se përse përdor drogë? Përse shkatërronte veten? Çfarë ka kaq të madhe dhe të keqe që të arrish t’i bësh vetes një gjë të tillë dhe të mbysësh veten. Ishte hera e parë që im bir pas gjithë asaj kohe më shihte në sy. -Ti e di më tha. Ti e di. Normalisht që e dija, tashmë e kisha kuptuar se çfarë po më shkatërronte djalin. I thashë se e dija, por doja ta dëgjoja nga ai. Se doja të ishte ai që të ma thoshte. Mbaj mend që kemi shkuar diku nga liqeni i Tiranës, në mes të errësirës dhe aty me tha atë që ndiente. Që e vetmja mënyrë për t’ju afruar modelt të mashkullit shqiptar, pak të fortë, dhe të shkathët, ishte përdorimi i drogës. Ka qënë nata ku kam qarë më shumë, bashkë me tim bir.”

Ajo grua sot i është dorëzuar realitetit, midis të qënit gay të djalit të saj dhe përdorimit të drogës për të mbytur këtë realitet, ajo zgjodhi të birin. Ishte periudhë e gjatë rikuperimi e shëndetit të të birit, prezenca e saj pothuaj në çdo orë të ditës pranë tij me qëllim që ai të mos lëshohej në krahët e një realiteti tjetër. Ajo shprehet për atë që i biri është sot me këto fjalë; “Jam e lumtur që pata mundësinë të njoh tim bir, jam e lumtur që im bir pati kurajon të gjente rrugën e tij dhe jam krenare për atë çka është bërë im bir. Arbri dhe të gjithë djemtë dhe vajzat e tjera që kam pasur mundësinë të njoh nuk kanë asgjë për të ardhur turp, nuk kanë ndonjë karakteristikë të keqe. Janë fëmijët tanë, që ne i kemi sjellë në jetë po që Zoti a nuk e di çfarë vendosi të ishin të veçantë sepse duan në mënyrën e tyre. Unë jam krenare për djalin tim, sepse nuk më ka zhgënjyer, jam krenare sepse gjithçka që arritur e ka arritur me forcën dhe vullnetin e tij. Jam krenare edhe per punën që ai bën, për përkushtimin që tregon dhe për çiltërsinë që ka në çdo ditë të jetë së tij. Sot them se sikur të kisha pasur sado pak informacion, apo sikur të kisha pranuar atë që dija pak më herët im bir nuk do kishte kurrë gjithë këto vuajtje. Por kjo ishte e shkruar, që unë duhet të njihja tim bir përmes vuajtjes, dhe rëndësi ka që gjithçka shkoi mirë. Nuk di se ç’mund t’u këshilloj të tjerëve për fëmijët e tyre, por sikur të tregonin pak kujdesje, pak vëmëndje ndaj heshtjes së fëmijëve të tyre, sikur përpara se të japin verdikte, thjesht të mendonin, se janë bijtë dhe vajzat e tyre. Dëgjojini sepse në çdo cast heshtjeje janë duke biseduar me ju. Nuk është orientimi seksual, të qënurit gay që jua ‘’shkatërron’’ fëmijët, por shtypja e madhe dhe frika e madhe nga paragjykimi i familjes, miqve, i shoqërisë në tërësi. Dhe po ashtu, nuk është orientimi seksual që i bën të mirë apo të këqinj. Liria për të jetuar orientimin seksual ashtu sic e ke të lejon të rritesh dhe të shkëlqesh në fusha të tjera të jetës. Ata janë fëmijët tanë dhe kanë nevojë për ne, dhe janë të mrekullueshëm!”

Kështu e mbyll ajo fjalimin e saj. Unë nuk e di sesa e lumtur mund të jetë një nënë kur fëmija i tyre është gay, di që gjithë rastet që unë njoh prindërit janë të pezmatuar, të zhgënjyer dhe armiqësor me fëmijët e tyre. Jam e sigurtë vetëm për një gjë, secili person që është ndryshe në thelb nuk do të donte të ishte i tillë për të mënjanuar kokëçarjet që vijnë nga kjo gjë. E di që shumë persona jo gay, preferojnë më mirë që të mos flitet për realitete të tilla, por e mira është që të flitet. Pa ngatërruar në këto lloj realitetesh as Zotin, as dëshirat e tij!

Falenderojmë Irena Shabani për shkrimin e publikuar në intv.al.

Article Logic
Execution time: 0.0029218196868896