INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Si të hiqni dorë nga perfeksioni dhe të filloni të shijoni jetën

Si të hiqni dorë nga perfeksioni dhe të filloni të shijoni jetën

Publikuar më: 13:45 04-09-2017

Perfeksioni nuk ekziston, por ekzistojnë rezultate të mrekullueshme, suksese të paimagjinueshme, ide të mëdha. Ju duket pak?

Nëse e lini pas krahëve idenë e perfeksionit që nuk mund ta kapni dot dhe viheni në punë për të arritur rezultatet që dëshironi, do të shihni se si një apo më shumë nga këto rezultate do të bëhen të arritshme.

Asgjë nuk do të mund të plotësojë pritshmëritë. Të vihesh në kërkim të perfeksionit shpesh ka si rezultat të vetëm një re ankthi që helmon realitetin që duhet të jetojmë. Detyrimi se duhet të jemi të parët në çdo fushë është ajo që spikat më tepër. Në zyrë, me fëmijët, në shtrat, ankthi se duhet të jemi të pagabueshëm frenon veprimet tona. Në të vërtetë, të përpiqesh të jesh prind më i mirë, partner më i mirë, është shpesh shkak i frustrimit që ndiejmë.

ldentiteti i perfeksionistit

Perfeksionistët janë gjithmonë të angazhuar për të qenë më të mirë dhe për t’u dukur më të besueshëm. Ai refuzon gjithçka që është larg vizionit që ka idealizuar në mendje, nga i cili përjashtohen defektet, humbjet apo dobësitë. Edhe pse nuk e pranon, vuan sa herë që nuk arrin të jetë në nivelin e pritshmërive të tij shumë të larta.

Rreziku i përsosmërisë me çdo kusht

Të vendosësh objektiva të pamundur për t’u arritur, nuk jep aspak lumturi. Përkundrazi, kjo sjellje mund të na bëjë shumë të palumtur. Problemi është që perfeksionisti nuk merr asnjë kënaqësi nga arritjet e veta. Me të arritur objektivin, menjëherë ka nevojë të përballet me një sfidë të re, duke grumbulluar një pakënaqësi kronike dhe një ndjenjë të përhershme frustrimi. Në disa raste, pas një dështimi ndiejnë sikur e gjithë bota e tyre po përmbyset.

Mësoni të jeni jo perfekt

Në vend që të kemi dëshirën e madhe për të qenë perfekt me çdo kusht, është e nevojshme të kërkojmë të bëjmë më të mirën dhe të pranojmë limitet. Në vizionin e një bote “jo perfekte” ndjenjat e dhimbshme pranohen si pjesë e jetës. Nëse na ndodh të dështojmë ndonjëherë, gjithsesi do të nxjerrim një mësim: në fund të fundit, më tepër rëndësi ka rruga që po ndjekim sesa ku po shkojmë apo rezultati.

Vlerësoni më shumë jetën

Për të pranuar se jeni jo të përsosur nevojitet një qëllim thelbësor: mësoni të vlerësoni jetën në vend që ta zhvlerësoni vazhdimisht. Përse? Sepse me t’u mësuar vlera e mirënjohjes, nuk kemi më nevojë për ngjarje të jashtëzakonshme që të ndihemi të lumtur.

As të tjerët nuk janë perfektë

Shpesh të zënë në ngërç mes frikës së dështimit dhe detyrimit për të arritur rezultatet e duhura, perfeksionisti ka tendencën të jetë aspak tolerant përkundrejt të tjerëve: kontrasti më i vogël mund të çojë drejt prishjes së një miqësie apo marrëdhënieje. Nga disa këndvështrime, të mësosh vlerën e papërsosmërisë mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar se jemi vetëm qenie njerëzore.

Article Logic
Execution time: 0.0038089752197266