INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Si të kuptoni çfarë ju fsheh partneri nëpërmjet gjesteve

Si të kuptoni çfarë ju fsheh partneri nëpërmjet gjesteve

Publikuar më: 15:11 12-09-2017

Atëherë kur partneri juaj kalon një periudhë të vështirë, do të preferojë më shumë të struket brenda vetes. Për këtë arsye, studimi i gjuhës së trupit është i rëndësishëm në njohjen e mendjes së tij. Kështu do të kuptoni si duhet të reagoni. Me ndihmën e ekspertit të gjuhës së trupit, Janine Driver, janë përzgjedhur pesë shprehje të fytyrës dhe sjelljet kritike, të cilat tregojnë kur një mashkull ndihet i brishtë, i mërzitur ose i furishëm. Si më poshtë, ju tregojmë si duhet të reagoni në mënyrën më korrekte ndaj këtyre sinjaleve.

1. Sillet sikur vjen nga një planet tjetër

Qëndrimi i tij: Lëviz nga njëra anë në tjetrën nëpër shtëpi dhe përpiqet të gjejë diçka për të bërë, duke kërkuar një pije në frigorifer, duke folur në telefon ose duke verifikuar në mënyrë ngulmuese e-mail-in, çdo gjë vetëm që t’i shpëtojë shikimit tuaj. Si përkthehet kjo: Ndoshta ndihet keq për faktin se ka bërë një budallallëk. Nuk përjashtohet të jetë pas një pije të tepruar, e papërballueshme pikërisht në mëngjesin kur ju keni caktuar takimin me prindërit tuaj; ose vetëm e vret ndërgjegjja se i ka “shpëtuar” një sekret, të cilin do ta mbante për vete, sepse kështu i keni kërkuar kur u ndatë me të. Për më tepër, e keni vënë të betohet se asgjë nuk do dalë prej gojës së tij. Natyra nuk u dha burrave polivalenca; çka do të thotë se çdo gjë që bën në një moment, i tërheq vëmendjen nga diçka tjetër. Çfarë duhet të bëni ju: Befasojeni me një përqafim. Mund ta përkëdhelni ose thjesht mund të vendosni duart rreth tij. Ideja është që ta bëni të ndihet i sigurt, i qetë. Rrini kështu disa minuta dhe thojini me një ton të qetë si asnjëherë: “Më duket se nuk ndihesh mirë. Ka një arsye që mund ta di, të ka ndodhur gjë?”. Ka mundësi ta bëni të flasë.

2. Rri me pamjen e fajtorit

Qëndrimi i tij: Shpatullat janë të rëna, sytë i mban të ulur dhe duart njërën sipër tjetrës përpara organeve gjenitale në shenjë mbrojtjeje. Si përkthehet kjo: E qartë, nuk është në vete! Mban pozitën e nxënësit të ndëshkuar. Ndoshta është familjare për ju, por mënyra si ai mbron egon e tij është një informacion më i rëndësishëm. Do të thotë se “krenaria” e tij ka vuajtur shumë: ka humbur një shumë të rëndësishme parash, një bast ose ka dëgjuar nga burime të sigurta se ish-i juaj sapo ka mbyllur një marrëveshje të rëndësishme me të ardhura të konsiderueshme. Për këtë arsye vjen edhe tendenca për të mbrojtur mashkulloritetin. Çfarë duhet të bëni ju: Tregojini se i qëndroni në krah fizikisht dhe emocionalisht. Edhe nëse nuk ndihet i gatshëm të ndajë me ju atë që e shqetëson, do të ndihet më mirë duke ditur që ka një njeri i cili i mbron shpatullat. Pavarësisht nëse rrini më këmbë apo jeni e ulur afër tij, prekjani parakrahun. Kur ndjeni se fillon të marrë frymë më lehtë, më qetë, përqafojeni sikur kërkoni prej tij mbrojtje.

3. Do thotë se është “mendimtari”

Qëndrimi i tij: Rri në karrige/divan mbështetur me kurriz e me kokën ulur dhe në fytyrë ka një shprehje, të cilën e tradhton përqendrimi ose fakti që mendja e tij është duke udhëtuar shumë larg. Si përkthehet kjo: Ka nevojë për hapësirë. Mund të bëhet fjalë për faktin se është shumë i stresuar në punë ose sapo ka kaluar një periudhë me shumë ngarkesë emocionale në familje dhe nuk ka asnjë ide si do t’i zgjidhë këto probleme. Cilido qoftë problemi i tij, nuk i duket aspak e rehatshme të kërkojë ndihmën e dikujt. Ky reagim i izoluar i trupit i lejon, në njëfarë mënyre, të tregojë pavarësinë dhe në të njëjtën kohë të mendojë çfarë ka për të bërë në të ardhmen e afërt. Çfarë duhet të bëni ju: Keni dëshirë ta “zhbiriloni” për tëkuptuar çfarë ndodh realisht me të, por e vetmja gjë që rekomandohet në këtë situatë është ta lini të qetë. Nëse qetësia e tij zgjat dhe ju ndjeni se ai do të donte të gjente tek ju mbështetje morale, por pa i folur për këtë, merrni një revistë ose një libër dhe uluni sa më afër tij.

4. Ka marrë një pozitë mbrojtëse

Qëndrimi i tij: Rri me duart në brez, mjekrën përpara dhe ju shikon në qerpik (pa ulur kokën). Si përkthehet kjo: Është gati të humbasë kontrollin. Mund të quhet një pozicion klasik “lufte” dhe një shenjë e qartë sulmi, që vështirë se mund të ndalohet. Ndoshta sapo keni bërë një shaka pa vend lidhur me shpenzimet e tij për makinën ose keni arritur në limitin e durimit për shkak të presioneve që ju i ushtroni prej kohësh, për një çështje për të cilën ai nuk është aspak dakord. Sinjalet që ai ju jep tregojnë se ky problem “vlon” dhe reagimi juaj, i ngjashëm me të tijin, nuk bën gjë tjetër veçse e acaron situatën. Çfarë duhet të bëni ju: Pikë së pari, qetësohuni! Duhet të mbani një pozitë jokërcënuese nëse doni që ai të mos ndihet i sulmuar fizikisht. Bëni disa ushtrime fizike për t’u qetësuar: lëvizni shpatullat, duart, merrni frymë thellë dhe numëroni deri në dhjetë. Nëse ai do t’ju shohë të qetë, do imitojë pavetëdijshëm pozicionin tuaj të trupit, do modifikojë tonet e larta të bisedës suaj, edhe nëse ajo do të jetë më e gjatë.

5. Sikur tërheq jakën

Qëndrimi i tij: Ose kruan qafën, ose tërheq jakën e këmishës/ bluzës për më shumë ajër, ose shikon rreth e rrotull për të gjetur një rrugëdalje. Si përkthehet kjo: Ndihet i pasigurt. Është shumë i stresuar, ndoshta për një afat përcaktues në punë ose për faktin që nuk është një periudhë financiare e favorshme dhe faturat presin shlyerjen e menjëhershme. Ose ndoshta pritshmëritë e tij ishin shumë të mëdha dhe të pamundura për t’u realizuar. Tani të gjitha këto i shkaktojnë dyshime, pasiguri e shqetësim dhe gjaku vërshon me shpejtësi në pjesën e sipërme të trupit, çka e bën të mbushet me djersë të ftohta dhe këmisha të duket sikur e mbyt. Çfarë duhet të bëni ju: Mundet ta qetësoni nëpërmjet kontaktit fizik, duke e mbajtur dorën e tij në dorën tuaj ose duke ia vënë atë mbi supe. Kështu do të ndihet më afër jush dhe do të qetësohet. Mos provoni të zbuloni burimin e shqetësimeve të tij; më mirë hapini një bisedë interesante që mundet ta përfshijë atë në festën ku do të merrni pjesë në fundjavë ose në një udhëtim të propozuar nga vetë ai, për t’iu dukur jeta me ngjyra dhe më e ëmbël. Nëse në bisedën tuaj ai vetë prek çështje të cilat e shqetësojnë, pyeteni si mund ta ndihmoni ta heqë mendjen nga këto, përpara se të niseni për festë apo në udhëtim.

Article Logic
Execution time: 0.0041959285736084