Një nga problemet kryesore që mund të hasim kur marrim një kafshë shtëpiake është se ata kur janë në fillimet e tyre mund të kryejnë nevojat personale brenda në shtëpi dhe ky është një problem shumë serioz. Në shumicën e rasteve këshilla që jepet për këtë problem është “merre, futja kokën aty ku ka bërë jashtqitjen dhe futja dhe një shpullë”. Kjo është pikërisht dhe këshilla më e keqe që mund t’ju japin.
Nëse ia bëni një maceje ajo do të mërzitet dhe herës tjetër do ta bëjë në një vend që nuk e sheh njeri, si p.sh. mbrapa divanit. Nëse ia bëni një qeni do e inkurajoni atë që të hajë jashtqitjen e vet dhe të qenve të tjerë, gjë që nuk është e mirë. Por cila është mënyra më e mirë për t’i stërvitur?
Qentë: Nëse krijoni një orar të caktuar kur qeni ha, atëherë do të krijoni dhe një orar që qeni të shkojë në tualet
1.Gjëja e parë që duhet të bëni është të caktoni një vend jashtë shtëpisë i cili do të jetë tualeti i qenit. Është shumë e rëndesishme që gjithmonë qenin ta mbani me litar kur duhet të shkojë në tualet. Përdorni një komandë të caktuar, si p.sh. “shko në tualet” ose “bëj nevojat”, kështu që edhe kur mund të jeni në udhëtim qeni juaj ta dijë se çfarë kërkoni nga ai.
2.Është shumë e rëndesishme që kur stervisni një qen të përforcojmë sjelljet e mira duke i dhënë një snack. Gjatë kohës që qeni juaj është në proçes e sipër e mira është që mos ta ngacmoni deri sa të ketë mbaruar. Pasi ka mbaruar përgëzojeni atë dhe jepini sërish një snack. Në këtë mënyrë ai lidh sjelljet e mira me një shpërblim dhe do jetë me i gatshëm t’ju bindet.
3.Zakonisht do t’ju duhen 10 deri në 20 minuta që qeni juaj t’i ketë mbaruar të dyja nevojat e tij dhe sapo të ketë mbaruar kthejeni në shtëpi. Nuk duam që të ngatërrojme orarin e tualetit me orarin e xhiros. Nëse i përzjeni të dyja qeni do përpiqet t’jua hedhi dhe do përpiqet t’i mbajë sa më shumë nevojat e tij në mënyrë që të luajë.
4.Aksidentet ndodhin gjithmonë dhe nuk është mirë që ta dënoni qenin pasi ai ka bërë këtë gabim pasi vetëm sa do e çorodisni. Nëse i ka shpëtuar brenda në shtëpi atëherë duhet ta pastroni menjëherë dhe të eliminoni aromat pasi ka rrezik që të përsërisë të njejtën gjë. Nëse e kapni në flagrancë atëherë duhet ta ndërprisni dhe ta çoni menjëherë në vendin ku i keni caktuar për tualet. Mos harroni që duhet gjithmonë litari.
5.Nëse keni një këlysh të vogël e mira është që gjithmonë të jetë në mbikqyrje dhe ta nxirrni sa më shpesh të jetë e mundur. E mira është që mos ta ushqeni pas ores 18:00 që mos të keni probleme gjatë natës. Ka dhe disa shenja dalluese p.sh. qeni do fillojë t’i marrë erë dyshemesë dhe do fillojë të lëvizë në mënyrë rrethore. Sa e shihni që bën të tilla veprime nxirreni jashtë.
Ajo që duhet të keni parasysh më së shumti është se do t’ju duhet goxha kohë t’i mësoni këto gjëra qenit tuaj kështu që duhet të tregoni shumë durim.
Macet: Është shumë e thjeshtë të mësosh një mace, madje ka raste që ato mund të përdorin menjëherë pllakën e dushit për të kryer nevojat e tyre.
1.Nëse duam të mësojmë macen të përdorë rërën për nevojat e veta gjëja e parë që na duhet është një kuti për rërën e maces. Nëse kemi një kotele atëherë na duhet një kuti me bordurë të ulët, për macet më të mëdha një kuti më e madhe.
2.Është shumë i rëndësishëm pozicionimi i kutisë me rërë. Atë nuk duhet ta vendosni kurrë afër tasave të ushqimit dhe ujit. Gjithashtu duhet të shmangë dhe vende që janë shumë të zhurmshme si p.sh. afer një lavatriçeje. E mira do të ishte në një vend edhe paksa të fshehur pasi maceve i pëlqen intimiteti i tyre.
3.Pas çdo vakti vendoseni macen në kutinë me rërë dhe bashkë me të gërrmoni pak rërën që ta bëni dhe macen me kurioze dhe t’i tregoni asaj që ky është një nga vendet e veta personale. KUJDES! Nëse macja bën ndonjë gabim dhe ju i bërtisni mos e çoni atë në kutinë me rërë pasi do e lidhë atë me emocione negative.
4.Nëse macja i bënë nevojat në kutinë me rërë përgëzojeni për veprimin e mirë që ka bërë dhe bëjani të ditur që jeni shumë të kënaqur me të.
5.Pastrojeni gjithmonë kutinë dhe të paktën një herë në javë duhet ta lani atë me detergjent. Ka disa mace që refuzojne të kryejnë nevojat e tyre në një kuti të pisët ose që mban shumë erë.
6.Nëse macja nuk e përdor kutinë atëherë ndoshta duhet të ndërroni llojin e rërës pasi asaj mund të mos i pëlqejë kjo rërë ose era që mban. Ndoshta do t’ju duhet të blini disa lloje para se të gjeni të duhurën.
7.Nese macja nuk e bën brenda në kuti mos i bërtisni asaj. Të bërtiturat dhe dhuna nuk funksionojnë me macet. Çojeni te vendi ku ka bërë gabimin dhe pastaj vendoseni te kutia me rërë që ajo ta kuptojë se ku duhet ta bëjë herës tjetër.