Ngjyrën e flokëve mund ta ndryshoni pa problem. Flokët mund t’i bëni nga bionde platin në gështenjë të errët. Por, duhet të tregoheni të kujdesshme që të bëni zgjedhjen e duhur sipas lëkurës, moshës dhe modelit të flokëve tuaj. Kur lyeni flokët, nuk duhet të gaboni. Ngjyra e flokëve duhet të jetë në harmoni me lëkurën dhe personalitetin tuaj. Ajo duhet të shkrihet me ngjyrën e syve dhe lëkurës suaj.
Nëse keni lëkurë të bardhë dhe sy të çelur, duhet të përdorni ngjyrat natyrale bionde, të hirta apo të kuqe. Ato i japin theks lëkurës së bardhë dhe nxjerrin në pah ngjyrën e syve. Ato që duan të krijojnë më shumë efekt, mund të përdorin ngjyra më të ngrohta, si gështenjat e errëta apo ngjyrat karamel, mjaltë, të cilat i japin intensitet ngjyrës dhe japin më dritë.
Në rastin e lëkurave të zbehta mund të përdoren ngjyrat bionde të ftohta apo të bardhat suedeze. Ngjyrat e kuqe krijojnë kontrast me lëkurën e bardhë dhe nxjerrin në pah sytë. Ngjyra e bakrit dhe e kuqja shkon shumë me sytë e errët. Mund të përdoren edhe ngjyrat kafe të ngrohta apo ngjyra e lajthisë. Nëse keni lëkurë me ngjyrë mat dhe sy të errët, përdorni ngjyra më të ftohta për flokët. Rekomandohen gështenjat e errëta dhe e zeza e ftohtë. Përdorni nuancat e çokollatës apo lajthisë, me qëllim që t’i jepet intensitet ngjyrës.