Policia ka reaguar për ngjarjen kriminale të ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit, ku u vra me thikë pronari i një marketi. Viktimë mbeti 58-vjeçari Agim Arapi, banues në Durrës.
Menjëherë pas ngjarjes, uniformat blu kanë arrestuar 3 autorët e dyshuar të krimit, dy vëllezër Kostandin dhe Kujtim Ekonomi, si dhe Jurgen Kurti (dhëndri i Kostandinit), të cilët tentuan të largoheshin, por nuk mundën t’i shpëtonin dot postblloqeve të policisë.
Sakaq, forca të shumta policore mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 11.04.2017, ora 19:55 në lagjen Nr.1 Durrës, Bulevardi “Epidam”, në një dyqan ushqimor, si pasojë e një konflikti pronësie është plagosur shtetasi Agim Arapi 58 vjeç, banues në Durrës. Për pasojë, i dëmtuari ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët pak minuta pas ngjarjes kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit Kostandin Ekonomi, Kujtim Ekonomi dhe Jurgen Kurti. Kostandin dhe Kujtim Ekonomi janë vëllezër, ndërsa shtetasi Jurgen Kurti (është dhëndri i Kostandin Ekonomi). Palët në konflikt janë goditur me njëri- tjetrin me sende të forta. Vijon puna për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.