INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Siri, lufta e vërtet ti mbijetosh urisë

Siri, lufta e vërtet ti mbijetosh urisë

Publikuar më: 15:55 11-01-2016

Për banorët e qytetit të rrethuar sirian të Madaya-s, mekanizmi i ndihmës më në fund është vënë në lëvizje. Një autokolonë mjetesh të mbushura me ushqime e OKB-së përgatitet të niset drejt zonës ku njerëzit thuhet të jenë duke vdekur nga uria. Ka ende rreth 40.000 vetë në Madaya-n e ndodhur pranë kufirit me Libanin. Banorët, sipas disa raporteve në shtypin botëror, po hanë deri dhe kafshë shtëpiake e bar për të mbijetuar. Gjendja në qytetin e mbajtur nën darën e forcave qeveritare është e llahtarshme, i tha BBC-së Brice de la Vigne i organizatës humanitare “Mjekët pa kufij”. Nga kontaktet me mjekët brenda Madaya-s, grupi ka marrë informacion për të paktën 250 persona që vuajnë nga kequshqyerja akute, 10 nga të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, në të kundërt do të vdesin.

Programi botëror i ushqimit kishte shpresuar më herët të dërgonte një ngarkesë të parë ushqimesh dhe ilaçesh në Madaya. Arsyeja e vonesës në nisjen e kësaj ngarkese nuk dihet ende, por korrespondentët kujtojnë se qasja e negociuar në raste rrethimi nuk ka qenë kurrë një çështje e lehtë: arritja e marrëveshjes duhet të përfshijë nga politikanë të lartë në të dy anët e konfliktit, ashtu edhe individët që luftojnë në terren.

Operacione ndihme janë parashikuar edhe për dy fshatra të kontrolluara nga rebelët në veri të vendit, Kefraya dhe Foah. Bllokadat janë kthyer tashmë në tipar dallues të luftës civile në Siri, megjithatë Madaya tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen ndërkombëtare për shkak të pamjeve në internet që tregonin shkallën e tmerrshme të kequshqyerjes së banorëve të saj.

4,5 milionë sirianë llogariten në zonat e thella të vendit, ku transporti është mjaft i vështirë, përfshirë 400.000 njerëzit që jetojnë në 15 zona të rrethuara, ku ndihma që do të shpëtonte jetë nuk ka asnjë lloj qasjeje. Madaya është nën rrethim që nga fillimi i korrikut, kur u mësy nga forcat e Damaskut dhe aleatët e tyre në Liban, militantët e lëvizjes islamike shiite Hezbollah.

Article Logic
Execution time: 0.0037140846252441