INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Situata politike, Meta: Nuk është momenti për prova force dhe retorikë përçarëse

Situata politike, Meta: Nuk është momenti për prova force dhe retorikë përçarëse

Publikuar më: 13:53 20-06-2019

Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një deklarate lidhur me situatën e tensionuar që pasoi vendimin e tij për të anuluar dekretin për datën e zgjedhjeve më 30 qershor.

Kreu i Shtetit shprehet se nuk është momenti për prova force, për retorikë përcarëse dhe provokuese, por për maturi.

Ndër të tjera ai kërkoi që palët politike të nisin dialogun në mënyrë që kriza që ka përfshirë vendin të zgjidhet sa më shpejtë.

“U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më datë 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve.

Sërish insistoj me forcë rëndësinë e dialogut mes palëve e njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë” thuhet në deklaratën e presidentit.

Article Logic
Execution time: 0.004547119140625