Situata në vend dhe kriza politike sjell një delegacion të Komisionit të Venecias në Tiranë.
Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë i drejtoi një kërkesë Komisionit të Venecias ku i kërkonte opinion në lidhje me nismën e ndërmarrë nga maxhoranca për shkarkimin e Presidentit, pasi ai anuloi me dekret zgjedhjet e 30 qershorit.
Një përgjigje për kërkesën në fjalë duket se ka ardhur ditën e sotme pasi burime bëjnë me dije se një delegacion nga Komisioni i Venecias pritet të mbërrijë në Tiranë në datën 9 shtator dhe do të qëndrojnë në vendin tonë për një vizitë dy ditore.
Gjatë vizitës delegacioni i përbërë nga Thomas Markert, Sekretar i Komisionit të Venecias dhe dy antarë të Komisonit, Hungarezi Varga dhe Finlandezi Tuori, pritet të takojë presidentin e Republikës Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, përfaqësues nga qeveria, KQZ Komisioni i Posaçëm Hetimor, përfaqësues të opozitës dhe anëtarë të shoqërisë civile.