Gjatë pritjes së konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak është tensionuar situata në Devoll. Simpatizantë të Partisë Demokratike u mbledhën para bashkisë, ndërsa pritej mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak të dalë nga 30 qershori.
Kreu aktual i bashkisë, përfaqësues i PD Bledjon Nallbati, i cili ndodhet në zyrën e tij dhe po vijon punën, deklaroi për mediat se 30 qershori është shfuqizuar dhe se nuk ka kryetar dhe këshill të ri. Ai ka theksuar se do të mbrojë Kushtetutën.
“Ne po vijojmë punën. Nuk ka pasur zgjedhje. Populli i abandonoi. Ishin zgjedhje të PS. Bashkia po uzurpohet. Ne zbatojmë dekretin e Presidentit. 30 qershori është shfuqizuar. Do mbrojmë Kushtetutën. Nuk ka kryetar të ri, as këshill të ri. Kryetarët vijnë dhe ikin me zgjedhje. Nëse bashkia pushtohet do t’i ndalojmë dhe procedojmë pranë prokurorisë”, deklaroi Nallbati.
Ndërkohë mësohet se kryetari i bashkisë i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit Eduard Duro është betuar në prefekturë.
Devolli është e para bashki në vend, ku pritet konstituimi i këshillit dhe betimi i kryetarit të ri Eduart Duro të dalë nga 30 qershori.
Mësohet se në Devoll ndodhen edhe ish deputetët e PD-së, Hekuran Hoxhalli dhe Endri Hasa si edhe sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Brahimllari, sipas të cilit Rilindja e Devollit mbledh sot këshillim imagjinar në institucione imagjinare. Bashkia është e qytetarëve.