Pikërisht pas çeljes së sezonit turistik veror, Edi Rama nëpërmjet një vendimi të firmosur në datën 18 maj, ka eleminuar plazhet publike në Shqipëri.
Vendimi është një rregullore ‘Për stacionet e plazhit’ por që ‘de facto’ ka dispozitat e një ligji mirëfilli që përcakton dhënien me qera të zonave bregdetare dhe plazheve.
Kjo rregullore u propozua proçedurialisht nga ministrja e Ekonomisë, znj.Milva Ekonomi, ndonëse sipas HashtagAL , vetë ministrja ka pasur kundërshtitë e veta për këtë rregullore por objeksionet e ministres u shpërfillën dhe rregullorja u konceptua me shpejtësi sipas orientimeve të vetë kryeministrit.
Kleçka e kësaj rregulloreje, është një nen interesant dhe që ka ngjallur shumë debate.
Ky nen eleminon mundësinë e piketimit dhe garantimit të plazheve publike, pasi tashmë cilido plazh mund të kapet nga një privat, nëse privati bën kërkesë në qeverisjen vendore për ta marrë me qira.
Një rregullore e paprecedentë, që eleminon interesin publik dhe e vendos të drejtën për plazhe publike në varësi të kapriçove të privatëve.
E thënë më thjeshtë, plazhe publike do jenë vetëm ato zona ku privatët nuk denjojnë të investojnë.
Ky është një ligj i pashembullt, i pakrahasueshëm, me çdo shtet fqinj dhe më gjerë.
Shqipëria në këtë mënyrë vendos me ligj, se plazhet e publikut do të jenë vetëm ato zona që i lënë privatët si ‘sadaka’.
Kjo rregullore ka kaluar me polemika dhe debate mes drejtorive të ndryshme në Ministrinë e Ekonomisë, por në finale, dominoi vullneti i kryeministrit Rama.
Se ku do pushojnë ata që nuk kanë të paguajnë ekstra, këtë do e vendosin oligarkët dhe biznesmenët që do kapin plazhet që duan vetë.