Telashet nuk kanë të ndalur për Skënderbeun. Organi më i lartë i futbollit europian, UEFA, po përgatitet për një tjetër dënim të rëndë ndaj kampionëve të Shqipërisë, Skënderbeut, skuadër e konsideruar prej tyre si e përfshirë në një investigim për shitje ndeshjesh, shkruan agjencia amerikane e lajmeve , “Associated Press”.
Sipas saj, shefi i sektorit të integritetit dhe çështjeve disiplinore të UEFA-s, Emilio Garsia ka theksuar se vendimi për të pezulluar me një vit përjashtim nga pjesëmarrja në aktivitetet europiane ka qene thjesht një dënim provizor.
Sipas Garsias, organet disiplinore të UEFA-s janë duke konsideruar një dënim disiplinor të skuadrës Shqiptare. Gjithçka është bërë e ditur ditën e mërkurë në Gjenevë të Zvicrës, ku është zhvilluar konferenca e integritetit të sporteve. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe vonesa kaq e gjatë e arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës.
Ndryshimi i hetimit të çështjes nga administrative në disiplinore ka dhe një përshkallëzim serioz të masës së ndëshkimit. Në muajin korrik të këtij viti skuadra kampione e Shqipërisë, Skënderbeu është pezulluar nga aktivitetet e Champions Leagues për sezonin 2016/2017 nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s i bazuar në disa dyshime të forta për përfshirje të skuadrës korçare në fiksime rezultatesh.
Skënderbeu u hoq nga përballja që do të kishte me skuadrën hungareze të Ferencvarosh, ndeshje e vlefshme për raundin e dytë paraeliminator të këtij turneu. Sipas Garsias, skuadra shqiptare është e dyshuar për dy ndeshje të Champions Leagues dhe dy ndeshjeve të fazës së grupeve të kupës Europa League gjatë vitit 2015-të.
Në raportin e UEFA-s, skuadra e Skënderbeut konsiderohet si e përfshirë edhe në 50 ndeshje të ndryshme të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë duke filluar nga viti 2011-të.