Vijojnë momentet e vështira për Federatën Shqiptare tëPeshëngritjes. Pas skandalit për doping me peshëngritësen Romelga Begah dhe pas dorëheqjes së presidentit Elez Gjoza, tashmë vendi ynë nuk ka të drejtë të organizojë Europianin e Peshëngritjes.
Këtë të hënë Federata Europiane e Peshëngritjes ka dërguar një email federatës shqiptare ku thuhet se se Shqipërisë i është hequr e drejta e organizimit të Kampionatit Europian të shtangës për kategorinë senior, që ishte programuar për t’u zhvilluar në Tiranë, më datat 23 mars-1 prill të këtij viti.
Përmes një komunikimi elektronik, ndërkombëtarët konfirmojnë faktin se Shqipëria nuk do të organizojë Europianin për shkak të problemeve me dopingun.
Federata Europiane e Peshëngritjes pranon se për të ky është një problem i madh dhe se po sheh mundësinë e organizimit të këtij eventi në një shtet tjetër, duke i dhënë mundësi vendit të ri organizator ta zhvillojë Europianin edhe në një datë të mëvonshme.