Teuta është mundur thellë në “Niko Dovana” me rezultatin 1-4 nga Skënderbeu kryesues i cili po vijon me ritme të frikshme në Superligë duke marrë fitoren e 5 radhazi.
Takimi nisi mirë për durrsakët të cilët në minutën e 9 morën avantazhin kundër korçarëve. Pjesa e parë mbyllet me këto shifra duke krijuar iluzionin e një fitoreje për “djemtë e detit”. Në të dytën korçarët jo vetëm përmbysën shifrat, por edhe shpërfytyruan vendasit.
Në fillim Afrim taku barazoi shifrat, ndërsa Sabien Lilaj në minutën e 66-të përmbysi gjithçka pasi realizoj saktë një penallti. Sulmuesi Sowe dërgoi shifrat në 1-3 në minutën e 73-të, ndërsa Muzaka 5 minuta më pas stampoi rezultatin përfundimtar të takimit.
Teuta pas këtij takimi është zyrtarisht në krizë pasi në katër sfidat e fundit ka marrë vetëm 1 pikë, në 3 të fundit ka pësuar po kaq humbje. Pas 7 javësh në kampionat durrsakët renditen të 6-ët me 10 pikë, ndërsa Skënderbeu mban vendin e parë me 19 pikë, 3 më shumë se Kukësi i vendit të dytë.