Me një stadium tejet të mbushur dhe me një skuadër që dha shpirtin në fushën e lojës, Skënderbeu arriti të kalojë Dinamon e Zagrebit dhe të kualifikohet në grupet e kompeticionit të Europa League. Një rrugëtim i vështirë dhe i lodhshëm për ekipin korçar që tashmë pas 4 tureve janë në fazën e grupeve për të dytën herë në historinë e tyre.
Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja është kualifikuar falë golit në fushën kundërshtare, pasi ndeshja e parë në Kroaci përfundoi në shifrat 1-1, ndërkohë që ndeshja e sotme në Korçë u mbyll me porta të paprekura edhe pse me një lojtar më pak në fushë por me një lojë të shkëlqyer dhe dominim total. Një ditë historike për të gjithë Korçën dhe për të gjithë shqiptarët pasi për herë të parë një ekip shqiptar kalon 4 ture dhe kualifikohet në fazën e grupeve, sepse para dy vitesh Skënderbeu u kualifikua me një formulë tjetër, pas eleminimit nga faza play-off e Champions League, pikërisht nga Dinamo.
Kjo ndeshje apo “hakmarrje” përballë Dinamo Zagreb, përveç se u dha korçarëve një biletë për në grupet e Europa Leage, ka prodhuar edhe miliona në arkat e klubit jugor duke arkëtuar një shifër prej 3.3 milion Eurosh.
Urime Skënderbeu!