Opozita pret të njëjtin fund për Fatmir Xhafajn, ashtu siç po ndodh me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, i cili prej së shtunës është në arrest shtëpie.
Në një intervistë radiofonike në IN Radio 105.7, në emisionin “Sokol Balla Live”, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, shpreh bindjen se akuzat e ngritura ndaj familjes Xhafaj qëndrojnë.
“Ne do ja lëmë kohës se çfarë do të ndodhë me Fatmir Xhafajn”, është shprehur deputetja duke vënë në dukje emrin e Tahirit, i cili tashmë nga momenti në moment pritet të arrestohet.
Demokratët nuk i ka çuditur aspak mbrojtja që kryeministri i bëri përballë grupit kuvendor socialist Fatmir Xhafajt, duke e lënë atë në detyrën e ministrit të brendshëm. Kjo për një arsye të fortë, pas trafikut të drogës në fakt nuk është Xhafaj, Tahiri apo trafikantë të tjerë, por kryeministri Edi Rama.
“Nuk prisja asgjë ndryshe nga deklarata e kryeministrit, madje kjo deklaratë ishte shumë e njëjtë me reagimin që Rama pati për Saimir Tahirin”, është shprehur Jorida.
E pyetur nga Sokol Balla lidhur me vërtetësinë e audio-përgjimit, pasi kryeministri e mohoi se është e vërtetë, Jorida u shpreh, “Nuk kemi as dyshimin më të vogël se ky audio-përgjim është autentik, sepse në të kundërt Partia Demokratike nuk do ta publikonte”.