Zgjedhjet Presidenciale në SHBA-ja, kanë marrë një moment tepër të rëndësisht kjo edhe pas debatit të parë televiziv. Kandidatja demokrate për presidente e SHBA, Hillary Clinton, kryeson me pesë pikë diferencë ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump, në sondazhin më të fundit të realizuar nga rrjeti televiziv amerikan CNN.
Sipas sondazhit, Clinton kryeson me 47 përqind, ndërsa Donald Trump me 42 përqind.
Fushata e Hillary Clinton është fokusuar tek informacionet e publikuara nga “New York Times” se Trump mund të ketë shmangur taksat prej 18 vitesh. Duke folur në Toledo të Ohajos, Clinton e quajti rivalin e saj republikan, simbol të sistemit të manipuluar.
“Ndërsa miliona familje amerikane, duke përfshire familjen time dhe tuajën kanë punuar shumë duke paguar pjesën që na takon, duket se ai nuk ka kontribuar me asgjë. Trump përfaqëson të njëjtin sistem të manipuluar të cilin ai pretendon se do të ndryshojë”.
Por miliarderi republikan deklaroi të hënën se ai kishte arritur të lundronte në mënyrë të shkëlqyer kodin kompleks të taksave.
“Unë i kuptoj ligjet e taksave më mirë se kushdo tjetër. Si ndërtues hotelesh dhe si një biznesmen, i kam përdorur ligjet mbi taksat në përfitimin tim dhe në përfitim të kompanisë time”, deklaroi Trump përpara mbështetësve në Kolorado.