INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Sonte, miqësorja Shqipëri-Marok, ja si pritet të luajnë kuqezinjtë

Sonte, miqësorja Shqipëri-Marok, ja si pritet të luajnë kuqezinjtë

Publikuar më: 12:05 31-08-2016

Shqipëria do të luajë sonte, në orën 20:30, ndeshjen e parë pas finaleve të “Euro 2016”. Kuqezinjtë e De Biazit duket të hedhin pas krahëve përjetimin mbresëlënës dhe historik të kualifikimit në eliminatoret e shkuara dhe të kthehen në realitet, sikurse thoshte Mërgim Mavraj, sepse i pret një kapitull i ri. Sa i përket formacionit, të cilin De Biazi nuk e ka bërë të ditur, ashtu si edhe emrin e kapitenit, që do të zëvendësojë Lorik Canën, nuk pritet të ketë ndryshime në rreshtim, në modulin taktik. Kuqezinjtë do të vijojnë të luajë me skemën 1-4-5-1, me theks difensiv, me një sulmues në majë, të asistuar nga krahët e mesfushës.

Takimi merr vlera domethënëse pasi inaguron stadiumin e rindërtuar “Loro Boriçi”, impianti më modern i futbollit shqiptar i cili ka kushtuar 15 milionë euro. Trajneri De Biazi ka grumbulluar për këto ndeshje të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion edhe në finalet e evropianit Francë 2016. Duke parë gjendjen e futbollistëve gjatë këtyre dy ditëve të grumbullimit, De Biazi ka vendosur ta nisë miqësoren me Marokun me këtë formacion:

Në portë Berisha

Në mbrojtje Hysaj, Gjimshiti, Mavraj e Lenjani

Në Mesfushë Gashi, Basha, Xhaka, Abrashi dhe Hyka

Në sulm  Cikalleshi

Pas një udhëtimi të gjatë, dje pasdite, grupit të kuqezinjve i janë bashkuar edhe Bekim Balaj e Odise Roshi. Edhe Naser Aliji është vënë tashmë nën urdhërat e De Biazit. Rei Manaj, ka qëndruar pushim dje pasi ka ndjerë dhimbje në pulpën e majtë. Të tjerët kanë zhvilluar normalisht stërvitjet e programuara nga trajneri. Sot futbollistët dhe stafi drejtues janë nisur drejt Shkodrës.

 

Article Logic
Execution time: 0.0036401748657227