Besimtarët myslimanë sot festojnë Fiter Bajramin. Qindra besimtarë iu drejtuan sheshit “Skënderbej”, Tiranë për faljen e namazit. E njëjta gjë ndodhi dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në këtë ditë të shënuar për myslimanët kanë uruar edhe politikanët. Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë duke postuar në faqen e tij në rrjetet sociale një foto nga Xhamia e Namazgjasë, që po ndërtohet ndërsa mbi të shkruan 'Gëzuar Bajramin".
Një urim është bërë nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha. “Të nderuar besimtarë e veçanërisht ju që keni agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit, ju uroj nga zemra Gëzuar Fiter Bajramin! Zoti e pranoftë sakrificën dhe lutjet tuaja, sjelltë mbarësi për ju e familjet tuaja dhe e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shkruan Lulzim Basha.
Një urim më të gjatë ka bërë Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë, Me mbylljen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Muajit të sakrificës, përkushtimit ndaj së mirës dhe paqes shpirtërore, u bashkohem lutjeve Tuaja për agjerim të pranuar dhe ju shpreh në këtë prag feste të madhe, urime të ngrohta, të sinqerta dhe të përzemërta: Gëzuar Bajramin e Madh!”, shkruan Meta. Në këtë ditë të shenjtë, vijon Meta “kur besimtarët myslimanë ndajnë me njëri-tjetrin, vlerat dhe virtytet më të mira të besimit Islam si dhe në traditën më të mirë shqiptare, respektin e përkushtimin ndaj familjes, mirëkuptimin dhe pranimin e tjetrit, solidaritetin dhe harmoninë ndërfetare, dhembshurinë dhe përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë, le të përcjellim mesazhin se është koha të udhëhiqemi në vendimet tona me ndërgjegje të pastër, përgjegjësi qytetare, besim në Zot dhe me një dashuri të sinqertë për të mirën e përbashkët”. “Arroganca, korrupsioni, demagogjia, veset, lakmia, dhuna e çdo shfaqje negative që helmon paqen, drejtësinë, barazinë e kohezionin social dhe pamundëson jetën e një shteti demokratik, duhen izoluar. Të përqafojmë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, si dhe kombëtare, për të gjetur rrugën e duhur dhe tejkaluar çdo sfidë, pavarësisht sakrificave shpeshherë të dhimbshme, me dialog, mirëkuptim e bashkëpunim, për një shoqëri më të drejtë dhe një Shqipëri më njerëzore. Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ndodheni: Zoti ju dhëntë shëndet, mbarësi, begati e paqe në familjet Tuaja dhe në Shqipërinë, tonë të përbashkët!Gëzuar Bajramin e Madh”, e mbyll urimin kreu i shtetit.