Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas refuzimit të Partisë Bindja Demokratike, ka pranuar kërkesën e Eduard Ndocajt që garoi përball Pjerin Ndreut në Lezhë për të hapur disa kuti ku ka pretendime se ka më shumë vota se votues.
Përfaqësuesi i PS në KQZ, Bledar Skënderi propozoi dje që nëse manipulimi me votat faktohet, atëherë të ketë ndjekje penale për komisionerët e përfshirë. “Unë kërkoj mbështetjen e një nga kolegëve që konform këtyre dy neneve të mbështesin kërkesën time që ne të marrim këto prova që gjenden në kutitë e votimit, pra të bëjmë rinumërim”, tha ai në një mbledhje të djeshme.
Por ndryshe nga socialistët e shohin çështjen demokratët. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso tha se hapja e kutive është një skemë farsë dhe e kontrolluar për të mos nxjerr manipulimet që sipas tij janë bërë. “11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s'ka patur manipulime. Qëllimi, jo fort i fshehur është që t'i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr bllof këtë skemë farsë "dorëzimi të kontrolluar" është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t'u hedhur hi syve njerëzve!”, reagoi ai.
Tre ditë më parë, KQZ nuk pranoi kërkesën e Bindjes Demokratike për të hapur kutitë e votimeve në Bashkinë Lezhë për mungesë provash.