I konsideruar si “stolia e Tiranës së gjeneratës tjetër”, segmenti i parë i Bulevardit të Ri sëbashku me parkimin nëntokësor ka përfunduar dhe është gati për t’u hapur sonte në orën 20:00 përmes një koncerti të organizuar nga Bashkia e Tiranës .
Organizatorët kanë menduar që festa të zhvendoset sot nga sheshi “Skënderbej” ku çdo natë ka pasur aktivitete të pasura muzikore, tek Bulevardi i Ri.
Në koncert do të marrin pjesë tre nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, Juliana Pasha, Olta Boka dhe Kejsi Tola që sëbashku me bandën muzikore që i shoqëron, garantojnë një spektakël të vërtetë. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë sot të pranishëm në një tjetër mbrëmje të paharrueshme për kryeqytetin.