Sot inaugurohen punimet në Sheshin Skenderbej. Ai kthehet në pedonale edhe pse Tirana është e zënë në kurth nga trafiku prej 1 viti, dhe do jetë edhe për shumë kohë të tjera.
Por, dita e sotme është shumë e rëndësishme për ideatorin e këtij rikonstruksioni, kryeministrin Edi Rama. Ai e ka nisur ditën e sotme me falenderime e fjalë zemre për të gjitha ata që punuan për realizimin e projektit dhe mbi të gjitha për Erion Veliajn.
Sheshi hapet sot në orën 19:30 dhe mbetet për tu parë nëse edhe qytetarët do të ketë të njëjtin vlerësim për të, edhe pse këto ditë para inaugurimit u shoqëruan me shumë kritika.
Statusi i Ramës në facebook
MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje nga xhevahiri më i madh i kurorës së Rilindjes Urbane, Sheshi Skënderbej, që do të rrezatojë nga sot e për shumë mote të tjera, dritën e pasionit dhe forcën e ambicies sonë për Shqipërinë që duam
Një rilindje e vështirë, plot 10 vjet nga dita kur nisi rrugëtimin projekti më ambicioz urban i Shqipërisë demokratike, mes pengesash, bllokimesh, shkatërrimesh e arrnimesh dëshpëruese, por një rilindje e denjë për kryeqytetin e shqiptarëve të shekullit XXI
Mezi pres të shkel sonte qilimin fantastik të thurur me gurë nga të gjitha trevat ku jetojnë prej shekujsh shqiptarët dhe të shijoj realizimin e një ëndrre që për shumë kohë ngjante e dënuar me vdekje.
Një faleminderit me mirënjohje të thellë, arkitektëve të jashtëzakonshëm, inxhinierëve të ndërtimit e të mjedisit, botanistëve, sipërmarrësit, punëtorëve, supervizorëve, e padiskutim, ekipit të dikurshëm që e nisi këtë aventurë fantastike dhe ekipit të sotëm të Bashkisë së Re të Tiranës, ku padyshim diferencën e bëri edhe njëherë, Lali Eri, kryetari fenomenal i Tironës që dum.
Uroj megjithë zemër që në 25 qershor Tirana të na japë një mandat të fortë, për të bërë në katër vjetët e ardhshëm, së bashku me Lali Erin dhe ekipin e tij të shkëlqyer, katërfishin e punëve që kemi bërë në këta dy vjet të rizgjimit të fuqishëm të kryeqytetit tonë.