Këtë të mërkurë në Shqipëri mbërrin trupi i pajetë i major Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Trupi i pajetë i majorit do të mbërrije me avion rreth orës 12:45 dhe më pas do të zhvillohet një ceremoni nderimi në nder të ushtarakut.
Homazhet për Dëshmorin e Atdheut major Klodian Tanushi dhe Ceremonia Shtetërore, do të zhvillohen ditën e enjte, datë 16 maj, ora 10:00 – 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, arkivoli me trupin e major Tanushit do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do t’i jepet lamtumira e fundit. Major Klodian Tanushi është baba i tre fëmijëve. Ai ndërroi jetë 4 ditë pasi mbeti i plagosur nga shpërthimi i një mine në një bazë ushtarake të Letonisë. në këtë bazë ndërroi jetë dhe nëntetarja Zarife Hasanaj e cila u përcoll në banesën e fundit të premten e shkuar. Ndërkohë, nga ai shpërthim i plagosur mbeti reshter Julian Kapaj.