Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump, do te mbajnë sonte debatin e parë presidencial, i cili, sipas disa vlerësimeve, mund të tërheqë mbi 100 milionë shikues.
Debati do të jetë moment kyç për Trumpin, i cili, në javët e fundit, i është afruar Clintonit në sondazhe.
“Do ta bëjmë Amerikën të fortë përsëri. Do ta bëjmë të sigurt dhe madhështore”, u tha Trump mbështetësve në Florida, në njërin nga shtetet vendimtare.
Clinton duket se e sheh debatin si mundësi për të siguruar mbështetësit e saj se do të ndërtojë një ekonomi më gjithëpërfshirëse.
“Të gjithë ne kemi vlerë. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin më të madh në botë, ne besojmë se të gjithë lindim të barabartë”, tha Clinton, po ashtu në Florida.
I pari prej tre debateve, i cili tradicionalisht është më i shikuari, vjen në kohën kur ka ndryshuar loja, tha për Zërin e Amerikës analisti Matthew Dallek, nga Universiteti George Washinton.
“Tani, sondazhet janë me rezultat shumë më të ngushtë sesa mendohej, andaj debati do të jetë i rëndësishëm”, tha ai.